Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka theksuar se reagimet e kryeministrit Haradinaj dhe ministrit Bytyqi ndaj vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, janë sa skandaloze aq edhe shqetësuese.
Sipas saj, deklaratat e krerëve shtetërorë janë kërcënim serioz, “jo vetëm për anëtarët e KSHC-së, por për zhvillimet në arsim, për cilësinë dhe të ardhmen e të rinjve e fëmijëve tanë”.
Ajo thotë se në rrethana normale, sot me urgjencë do të duhej ftuar menaxhmentin, rektorët e prorektorët, bashkë me anëtarët e Këshillave Drejtuese të Universiteteve publike, t’i mbanin ata përgjegjës për situatën e krijuar dhe për arsyet që sollën deri te Vendimi për mosakreditimin e tri universiteteve publike.
“Në rrethana normale, menaxhmenti i cilitdo universitet publik që nuk akreditohet, do të jepte llogari dhe dorëheqje. Te ne kjo nuk ndodhë, sepse s'kemi staf profesional e me integritet në udhëheqje të universiteteve (me shumë pak përjashtime). As Qeveria Haradinaj s'ka guxim e mundësi të bëjë një gjë të tillë, sepse shumica dërmuese e stafit udhëheqës të universiteteve publike janë persona politikë, të emëruar në mënyrë klienteliste e jo rrallëherë me shkelje”, deklaroi ajo në një postim në Facebook.
Deputetja e VV-së thotë se si në çdo sektor tjetër, edhe në sektorin e arsimit “ndërhyrjet brutale të qeverisë nuk pushojnë”.
“S’njohin pavarësi institucionale e as profesionalizëm, secili vendim është klientelist, nepotist e partiak, është një garë për punësim militantësh në vendet më të rëndësishme udhëheqëse”, thotë ajo.
Andaj, thotë Nagavci, dhe përgjegjësia duhet kërkuar tek qeverisjet që sollën arsimin në këtë gjendje.
“Tashmë me dekada është ndërhyrë në sistemin e arsimit, në dëm të cilësisë e në regres të shoqërisë, kjo duhet të marrë fund. Kjo qeveri duhet të largohet sa më parë. Secila ditë më shumë e kësaj qeverisje më keq për vendin, më problem për të ardhmen”, potencoi në fund të reagimit të saj, deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci.