Arbëri

Kosova dhe Katari zyrtarizojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë kibernetike

Descriptive Text

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra me bashkëpunëtorë priti sot një delegacion nga Ministria e Brendshme e Shtetit të Katarit i kryesuar nga kolonel Ali Hassan Kubaisi, drejtor i Departamentit të Krimeve Ekonomike dhe Elektronike.

Në takim u diskutua për gamën e gjerë të fushave në të cilat dy ministritë, respektivisht dy shtetet mund të bashkëpunojnë.

Zëvendësministri Shkodra, para delegacionit mysafir bëri një prezantim të aktiviteteve të cilat zhvillohen nëpër të gjitha agjencitë të cilat veprojnë nën autoritetin e MPB-së.

Gjithashtu, u bisedua për bashkëpunim në shumë fusha, duke nisur nga siguria kibernetike, trajnimi i kuadrove, bashkëpunimi ndërmjet akademive tona të sigurisë, si dhe bashkëpunime tjera kryesisht në luftimin e formave të krimit të organizuar.

Sipas një njoftimit për medie, dy delegacionet u pajtuan që hapi i parë i bashkëpunimit konkret ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Katarit të jetë në sigurinë kibernetike.

Bashkëpunimi do të formalizohet me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike.

Në këtë rast, zëvendësministri Shkodra theksoi se Kosova ka mundësi që të përfitojë nga eksperienca që ka shteti i Katarit.

Delegacioni nga Shteti i Katarit vazhdoi vizitën në Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar ku u njoftua nga afër për punën dhe aktivitetin e përditshëm të kësaj qendre, ku u diskutua për mundësinë e ofrimit të përkrahjes në avancimin e QKMK-së.