Arbëri

Haradinaj s’bindet as nga Raporti i Progresit për të hequr taksën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pranuar Raportin e Vitit të Komisionit Evropian, nga Nataliya Apostolova, Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në një konferencë për media, Haradinaj ka thënë se ky raport për vitin 2019 ka gjetje të përziera, teksa ka theksuar se kritikohet taksa ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës. Por ai ka shtuar se nuk do të heqë taksën, pa u plotësuar kërkesa për njohje nga Serbia.

“Sot nuk do t’i bëjmë analizën e mirëfilltë, por në javën që vjen do të ftojmë këshillin ndërministror për t’i bërë një analizë për të gjitha gjetjet që të nxjerrim detyrat e shtëpisë bazuar në këto gjetje. Është raport me gjetje të përziera. Në raste të caktuara ka vlerësim pozitiv për progresin, në raste tjera ka kritikë, për shembull për taksën edhe e shoqëron kjo kritikë në përgjithësi, por megjithatë në vlerësim vërteton gjetjet e të arriturave dhe ngecjet e sfidat që ka Kosova”, ka thënë ai. “Ne kemi mirëpritur angazhimin e liderëve botërorë. Mendojmë që është koha që edhe Serbia edhe Kosova të deklarohen nëse janë të gatshëm për njohje, do të zgjidheshin të gjitha temat, përfshirë taksa. Nëse s’ka gatishmëri për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, vazhdojmë me gjendjen ekzistuese, pa ndryshime për taksën”.

Në anën tjetër, Apostolova ka theksuar se raporti ka kritikë për Qeverinë e madhe, numrin e madh të ministrave e zëvendësministrave.

Për këtë Haradinaj ka thënë se është çështje ditësh Ligji i Qeverisë që pritet të rregullojë këtë pikë.