Arbëri

Rregullohet shtrati i lumit “Lepenc”, pasurohet me troftë

Minisistria e Infrastrukturës përmes një komunikate për media bën të ditur se ka rregulluar shtratin e lumit Lepenc, pas rehabilitimit të tij në kuadër të ndërtimit të autostradës “Arbën Xhaferi”.

Me këtë rast, lumi është pasuruar edhe më peshq të llojit troftë, transmeton Koha.net.

Ministri i MI-së, Pal Lekaj tha se akti i sotëm është shembull i mirë për qytetarët se si duhet ta trajtojmë ambientin duke e mbajtur të pastër atë.

Ai shtoi se krahas projekteve gjigante infrastrukturore, MI-ja është e përkushtuar që të mos e degradojë natyrën, por të ndihmojë në rehabilitimin e saj sa herë që ka nevojë.

Ndërsa ministri i MPMH-së, Fatmir Matoshi, kërkoi që të vazhdohet puna në ruajtje të këtij lumi, por edhe të të tjerëve.

“Shtrati i lumit “Lepenc” në gjatësi prej gjashtë kilometrash është i trajtuar me materiale natyrore të zonës, kurse që nga rehabilitimi i tij është vërejtur rikthim i florës dhe faunës së kësaj zone. Njëkohësisht lumi është pastruar nga mbeturinat dhe mbetjet urbane që ishin prezente para fillimit të punimeve”, thuhet në komunikatë.​