Arbëri

MASHT-i nis t’i risistemojë drejtorët e larguar

Foto: Koha
 

Shtatë muaj pasi i largoi nga pozitat e drejtorëve të departamenteve, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka nisur t’i sistemojë në pozita të tjera disa nga të larguarit. Në tetor të vitit të kaluar, MASHT-i duke u bazuar në Rregulloren e re për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës i kishte larguar 32 persona nga pozitat e drejtorëve të departamenteve dhe udhëheqësve të divizioneve. Në vend të tyre ishin caktuar ushtrues detyre.

Burime të gazetës kanë konfirmuar se të hënën pasdite, sekretari i MASHT-it, Ekrem Kastrati, ua ka përcjellë nga një email disa drejtorëve të larguar duke u propozuar pozita të tjera. Sipas burimeve, disa që kanë qenë drejtorë janë propozuar sërish për të njëjtën pozitë, por vetëm u është ndërruar departamenti, e disa të tjerë janë propozuar për shefa të divizioneve me arsyetimin se nuk i plotësojnë kriteret për drejtor. Në email është kërkuar që secili ta konfirmojë nëse e pranon pozitën e propozuar, shkruan sot Koha Ditore.