Arbëri

16 komuna pa noterë, Ministria premton zgjidhje në shkurt

Në 16 komuna të Kosovës nuk ka noterë. Për pasojë, qytetarët ankohen se u duhet të bëjnë dhjetëra kilometra rrugë për të kryer shërbime noteriale në komuna të tjera. Në Odën e Noterëve treguan arsyen e mungesave, e në Ministrinë e Drejtësisë u zotuan se një zgjidhje do ta bëjnë gjatë muajit të ardhshëm.

Skenderaj me 51 mijë banorë, bazuar në Ligjin për Noterinë, do të duhej t’i kishte së paku 5 noterë. Por, nuk e ka asnjë.

Qytetarë të kësaj komune thonë se kjo mungesë e noterëve po u shkakton vështirësi.

Për shërbimin që vërteton origjinalitetin e një dokumenti, ata duhet të bëjnë kilometra të tërë jashtë qytetit të tyre, për të kryer punë në Drenas, Mitrovicë a në ndonjë qytet tjetër.

“Këtu noter nuk ka dhe besa goxha shumë kemi nevojë për të, sepse po na kushton shumë rruga. Shkojmë, në Drenas për t’i kryer shërbimet tona për qytetarë të Skenderajt. Është e nevojshme këtu me e pasë një noter ose dy”, ka thënë Enver Dervishi.

“Kemi problem, se çka na duhet për subvencione për të aplikuar duhet të shkojmë ose në Drenas ose në Mitrovicë, aty po ka kallaballëk dhe po kemi problem shumë për një noter”, ka deklaruar Hazir Gashi.

Shërbimet e noterisë nuk jepen as në Obiliq.

“Këtu nuk ka noter për fat të keq shumë, po duhet të shkojmë në Prishtinë ose në Vushtrri për t’i kryer këto obligime... Nëse atëherë e kemi humbur një orë, tash duhet me i humb tri orë për të shkuar në Prishtinë, edhe shpenzime”, ka thënë Mexhit Bekteshi.

Obiliqi e Skenderaj nuk janë komunat e vetme pa këta juristë profesionalë.

Në mungesë të tyre, shërbimet noteriale nuk jepen as në Komunën e Rahovecit, Istogut, Malishevës, Kamenicës, Junikut, Hanit të Elezit, Mamushës, Ranillugut, Kllokotit, Parteshit, Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut.

Në Odën e Noterëve kanë treguar shkaqet e mungesave dhe thonë se përgjegjësia për emërimin e noterëve i takon Ministrisë së Drejtësisë.

“Mungesa e noterëve në listën e pritjes si dhe kontesti gjyqësor rreth anulimit të provimit për noterët e rinj, janë arsyet kryesore pse këto komuna kanë ngelur të pa mbuluara me noterë”, ka thënë Oda e Noterëve.

E në Ministri kanë thënë se nuk do të hapet konkurs i ri pa përfunduar procesi gjyqësor i kontestimit të ligjshmërisë së provimit të fundit të noterisë, që ishte kryer në kohën kur ky dikaster udhëhiqej nga Abelard Tahiri. Por, u zotuan për një zgjidhje brenda muajit shkurt.

“Nga muaji i ardhshëm, Ministria e Drejtësisë do të autorizojë disa nga noterët që përveç zyrës noteriale në komunën për të cilën janë emëruar, të hapin zyra noteriale edhe në komunat pa noterë dhe të punojnë në këto zyra të paktën një ose dy ditë në javë”, thuhet në përgjigjen e MD-së.

Në nivel të Kosovës, për 1.8 milion banorë, funksionin e noterit e kryejnë 54 persona. Ata janë përgjegjës për të kryer shërbime noteriale për çështje familjare, pronësore, ekonomike dhe të punës, për të nxjerrë vërtetime, legalizime dhe certifikatat e tjera, e edhe për të bërë ruajtjen dhe depozitimin e gjërave e dokumenteve.