Arbëri

Palmer: Anëtarësimi i Shqipërisë në BE proces i gjatë dhe i vështirë

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Matthew Palmer, ka deklaruar se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është një proces i gjatë dhe i vështirë, që do të kërkojë reforma themelore, disa prej të cilave do të jenë të dhimbshme politikisht.

Ai në një intervistë për Top Channel ka siguruar se SHBA do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në forcimin e institucioneve, ndërsa përkujtoi zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar se duhet të japin llogari ndaj popullit të tyre.

“Shqipëria aspiron anëtarësimin në BE. Ky është një proces i gjatë dhe i vështirë, që do të kërkojë reforma themelore. Disa prej tyre do të jenë të vështira, disa prej tyre do të jenë të dhimbshme politikisht. Por ne do të punojmë për të theksuar për popullin shqiptar se çfarë pritet, e do të punojmë me udhëheqësit e zgjedhur për t’u siguruar që do të japin rezultate për ato angazhime që marrin”, tha ai.

Ai ka theksuar procesin e vettingut të një rëndësie qendrore për t’u siguruar që askush nuk është mbi ligjin dhe nuk i largohet llogaridhënies.

“E theksoj angazhimin e SHBA-ve për të përdorur të gjitha mjetet që kemi për të mbështetur luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për të mbështetur llogaridhënien, transparencën dhe qeverisjen e mirë. Kjo përfshin autoritete të caktuar vizash, sipas përkufizimeve në ligj. Nuk kam ndërmend të bëj parashikime për të ardhmen, por do të them se të gjithë zyrtarët publikë që janë përfshirë në praktika korruptive, që janë përfshirë në shkeljen e besimit që iu kanë dhënë qytetarët shqiptarë, të gjithë duhet të kenë frikë”, tha diplomati amerikan.