Hoti thotë se s’duhen bërë eksperimente me shtetësinë e Kosovës, “platformë për dialog është Kushtetuta” Foto: Koha

Hoti thotë se s’duhen bërë eksperimente me shtetësinë e Kosovës, “platformë për dialog është Kushtetuta”

14 February 2019 12:37

Shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, ka komentuar platformën për dialog me Serbinë, të hartuar Ekipi negociator shtetëror.

Hoti thotë me këtë rast se askush nuk duhet të eksperimentojë me shtetësinë e Kosovës, duke shtuar se “platformë për dialog është Kushtetuta e Kosovës, ekip negociator është Qeveria e Kosovës që ka legjitimitet politik për të ushtruar kompetencat e veta kushtetuese dhe çdo format tjetër është jo kushtetues dhe nuk do të ketë përkrahje asnjëherë”.

“Kosova është shtet i pavarur dhe duhet të përfaqësohet nga institucionet kushtetuese. Pasi institucionet aktuale nuk kanë fuqi politike dhe as legjitimitet, atëherë duhet ndjekur rrugët për të fituar legjitimitetin fillimisht. Koalicioni PAN në asgjë nuk është unik përveç për të qëndruar në pushtet me çdo kusht”, ka thënë Hoti, raporton Koha.net.

Derisa në Qeverinë e kaluar janë bërë përparime në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, duke nënshkruar MSA-në, anëtarësimin në organizata të ndërkombëtare, zhvillim ekonomik, luftë kundër korrupsionit dhe arritje të tjera sado modeste që mund të jenë, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah hoti, thotë se “me Qeverinë e PAN-it Kosova ka bërë hapa prapa”.

“Është hera e parë në historinë 30 vjeçare të përpjekjeve tona për shtet të pavarur që cenohen marrëdhëniet miqësore me SHBA-në. Është hera e parë në historinë tonë si shtet që Kryeministrit i vendosen ndalesa për udhëtim në SHBA. Mendoj se vetë partia e tij do të duhej të kërkonte dorëheqjen. PDK duhet të marrë përgjegjësinë kryesore në këtë izolim të Kryeministrit të Kosovës, pasi para dy jave vraponte për të marrë meritat për vendosjen e taksës”, përfundoi Hoti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme