Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar me ambasadorin e SHBA-së, Philip Kosnett, me të cilin është pajtuar që të hiqen pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe t’i hapet rrugë marrëveshjes mes dy shteteve.
Në një komunikatë për media, Thaçi ka thënë se takim i sotëm me ambasadorin amerikan ishte i rregullt dhe se kanë biseduar për tema të ndryshme të interesit të përbashkët.
Pengesë për vazhdimin e dialogut është bërë taksa 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, të cilën po insiston ta mbajë kryeministri Ramush Haradinaj edhe përkundër sanksioneve të vendosura nga SHBA-ja.
“Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajnë vlera, parime dhe synime të përbashkëta. Në këtë rast, synimi ynë i përbashkët është të ndërtojmë paqe e stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë dhe në rajon, si parakusht për zhvillim e prosperitet të vendit tonë. Çelës për paqen është arritja e një marrëveshjeje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi.
“Partneriteti dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është jetësor për Kosovën. Kosova ka arritur kaq larg falë përkrahjes së gjithanshme të Shteteve të Bashkuara”, ka theksuar ai.
-
Kosnetti takon udhëheqësit e institucioneve të Kosovës: Hiqeni taksën
-
Grenell, Thaçit: Progresi në dialogun me Serbinë përfshin heqjen e tarifave
-
Kosnett: SHBA-ja, në partneritet me BE-në, është e përfshirë në dialog
-
Haradinaj takon ambasadorin amerikan
-
Kosnett: SHBA-ja e pret sivjet marrëveshjen Kosovë-Serbi, vonesa mund ta humbë përkrahjen tonë aktuale