Arbëri

Administrata e gjykatave paralajmëron grevë nëse s’u rriten pagat për 25%

Ligji për paga do të shqyrtohet të shtunën nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, por Sindikata e punëtorëve të Judikaturës, thotë të mos jetë në dijeni për koeficientin e tyre.

Kryetari i Sindikatës, Asllan Rusinovci, thotë të ketë kërkuar për këtë përgjigje nga Këshilli Gjyqësor dhe Prokuroria, por të mos kenë pasur as ata njohuri, raporton KTV.

Gjatë verës së kaluar, Sindikata e punëtorëve të Gjyqësorit dhe Prokurorisë, pati hyrë në grevë për rritje page prej 100 përqind, por, si përfundim, greva ishte pezulluar.

Pezullimi kishte ardhur pas premtimit se paga e tyre bazë do të rritet për 25 përqind.

Por, nëse kjo rritje nuk ndodh atëherë ata do t’i rikthehen grevës.

Përveç Sindikatës së Judikaturës, grevës pritet t’i bashkohet edhe Sindikata e Punëtorëve të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Këshilli grevist i Speciales ka dalë kundër ndryshimeve që janë bërë në Ligjin për Paga.

Në një reagim thuhet se trajtimi i stafit të Prokurorisë Speciale me këtë draft-ligj është denigrues dhe demotivues për funksionim normal të punës.

Projektligji i ri për pagat ka shkaktuar pakënaqësi sociale te të gjitha kategoritë e shërbyesve civilë të administratës shtetërore.