Sindikata e Judikaturës ka vendosur ta shtyjë grevën pas takimit të sotëm me Këshillin Prokurorial, Këshillin Gjyqësor dhe Ministrinë e Drejtësisë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Në këtë takim thuhet se janë diskutuar kërkesat e Sindikatës drejtuar Këshillave dhe MD-së, të cilat kanë të bëjnë me statusin e administratës së gjykatave dhe prokurorive, transmeton Koha.net.
“Palët u pajtuan që: të punohet së bashku me përfaqësuesit e Sindikatës për hartimin e dokumentit për sistematizim e vendeve të punës sipas Ligjit të ri për pagat, të përfundojë procesi i rikthimit të stafit administrativ-teknik në shërbyes civilë, si dhe të bëhen përpjekje për realizimin e pagesës së shtesës prej 50 eurosh nga 1 janari 2019, siç është bërë deri më tani”, thuhet në komunikatë.
Pas arritjes së pajtueshmërisë për këto pika, përfaqësuesit e Sindikatës së Judikaturës së Kosovës konfirmuan se greva e paralajmëruar për të hënën më 1 korrik 2019 do të mbetet e pezulluar deri më 1 tetor 2019.