Arbëri

Dogana zë mall të kontrabanduar në Zubin Potok, 95 për qind prodhim serb

Dogana e Kosovës ka zënë mall të kontrabanduar në vlerë të 10 mijë eurove, gjatë së mbrëmjes të së hënës, në Komunën e Zubin Potokut.

Nga njësitet anti- kontrabandë treguan për KTV-në se 95 për qind e mallit të kontrabanduar, është prodhim serb.

Sipas tyre pesë-kilometërshi i vijës kufitare që ndan Kosovën me Serbinë, në veri të vendit, ende po mbetet pikë kritike për luftimin e kontrabandës.

Numri i rasteve në tentim për kontrabandë është dyfishuar pas datës 21 nëntor, kur edhe është vënë masa 100 për qind ndaj produkteve.

Që nga ajo kohë, vlera e përafërt e mallit të zënë është 116 mijë euro, ndërsa taksa totale 136 mijë euro.

Drejtori i Doganës, Bahri Berisha, edhe pse nuk e ka vlerësuar shqetësuese sasinë e mallit të zënë në tentim për shmangie të autoriteteve kontrolluese, ka thënë se është kërkuar që të rriten burimet njerëzore në terren.