Arbëri

Kryetarët e komunave të partive të pushtetit vihen në lëvizje, mbledhin drejtorët e duan ndërprerjen e grevës

Descriptive Text

Kryetarët e komunave që drejtohen nga AAK-ja e Ramush Haradinajt, janë vënë në lëvizje, për të bindur mësimdhënësit që t’i kthehen mësimit, duke pranuar ofertën që ua bëri Qeveria.

Thirrjes i është bashkuar edhe kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, si dhe Komuna e Vitisë që drejtohet nga LDK-ja përmes Sokol Halitit.

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se janë “në koordinim të plotë me DKA-në dhe me drejtorët e shkollave, të cilët janë të gatshëm që procesi mësimor të rifillojë nesër sipas orarit të rregullt”.

“Qeveria Haradinaj ka reflektuar në kërkesat e grevistëve dhe kryeministri ka njoftuar se do të ketë rritje të pagave për mësimdhënësit. Komuna e Rahovecit i bën thirrje të gjithë mësimdhënësve që pas këtij vendimi, nga nesër t’i rikthehen procesit mësimor me qëllim që nxënësit të mos humbasin orët e mësimit dhe të mos humbasim asnjë sekondë të vlefshme për fëmijët dhe rrjedhimisht të ardhmen tonë!”, ka thënë Latifi, përcjell Koha.net.

Qeveria: Kemi rritur pagat për arsimtarët për 20 milionë euro në vit, ftojmë SBASHK-un ta ndërpresë grevën

Zyrtare: SBASHK-u s’e ndal grevën, refuzon ofertën e Qeverisë

Para tij, një tjetër kryetar komune që udhëhiqet nga AAK-ja, Bashkim Ramosaj i Deçanit, tregoi në profilin e tij në Facebook, se në orën 21:00, së bashku me drejtorin e DKA-së, ka takuar në zyrën e tij, drejtorët e shkollave të Komunës së Deçanit.

“Në këtë takim të jashtëzakonshëm u dakorduam që nesër të fillojmë me procesin mësimor. Ftoj të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit që të jenë në objektet shkollore sipas orarit të rregullt”, shkroi Ramosaj. “Kurse për nesër e hënë dt. 21.01.2019, kam ftuar Këshillin Grevist dhe përfaqësuesit e Sindikatës në ora 8:00 të jenë në takim në zyrën time, me qëllim ta tejkalojmë këtë situatë e cila pas deklaratës së Kryeministrit Haradinaj është e papranueshme të vazhdojë”, ka thënë ai më tej.

Komuna e radhës që i bashkohet thirrjes ndaj mësimdhënësve është ajo e Obiliqit, me kryetar Xhafer Gashin e AAK-së.

“Duke përshëndetur reflektimin kaq pozitiv të Qeverisë Haradinaj, karshi kërkesave tuaja, e duke u premtuar përkrahjen time gjithnjë ndaj jush, ju ftoj të gjithëve ju mësimdhënës të komunës time, që nga nesër të filloni procesin mësimor me shpresën në arritjet e vazhdueshme të fëmijëve në rrugën e dijes”, ka thënë Gashi. “Ju ditët gjithherë të kontribuoni në këtë fushë e po ashtu ju jeni shtylla e ndërtimit të shtetit tonë, prandaj unë kam shpresë në ju që duke respektuar ofertën e kryeministrit Haradinaj, nesër të filloni procesin mësimor në të gjitha institucionet shkollore”, ka thënë më tej Gashi.

Pa apel nuk ka mundur të mbetet kreu i Suharekës, Bali Muharremaj, i AAK-së.

“Si Komunë e Suharekës apelojmë tek mësimdhënësit, që të rifillojnë nesër procesin mësimor dhe që nxënësit të mos e humbasin mësimin. Konsiderojmë se Qeveria në këtë moment ka reflektuar ndaj kërkesave të grevistëve, duke e konsideruar si hap të rëndësishëm në ngritje të pagave”, ka thënë Muharremaj, përcjell Koha.net. “Secili ka të drejtë të kërkoj dhe të promovojë të drejtën e tij, mirëpo mendoj se në këtë fazë duhet të mendojmë më shumë për të ardhmen e fëmijëve tanë”, ka shtuar më tej ai.

Kreu i Mitrovicës, Agim Bahtiri, që vjen nga AKR-ja, e i cili edhe më parë bëri thirrje që greva të ndërpritet, ka bërë sërish apel që mësimi të nisë në gjysmë-vjetorin e dytë. Apeli i parë i tij, që në rast se mësimdhënësit e Mitrovicës nuk kthehen në mësim ai do të kërkojë mësues vullnetarë, irritoi sindikalistët që e kuptuan këtë si presion ndaj tyre.

“Pas vendimit të sotëm nga Qeveria e Kosovës për rritje të pagave ju bëjë thirrje edhe një herë që nesër të rifillojë procesi mësimor. Unë do të doja që rrogat të rriteshin edhe më shumë, por kjo rritje që ndodhi sot është maksimumi që ka pasur mundësi Qeveria jonë”, ka thënë Bahtiri, përcjell Koha.net. “Nuk ka arsye më që mësimi të mos fillojë nesër, sepse nuk mund t’i lëmë fëmijët rrugëve dhe pa adresë!”, ka thënë më tej Bahtiri.

Edhe Ragip Begaj i Nismës, ka bërë thirrje që greva të ndërpritet.

“Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, përmes Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, ju bënë ftesë të gjithë mësimdhënësve të Komunës së Malishevës, që nga dita e nesërme, e hëne 21 janar 2019, të fillojnë procesin mësimor në gjysmëvjetorin e dytë”, thuhet në njoftimin për media të kësaj Komune.

“Pas propozimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për rritje të pagave për mësimdhënësit, ju bëjmë apel të gjithë mësimdhënësve, që nga dita e nesërme ti kthehen procesit mësimor”, citohet të ketë thënë Begaj në apelin drejtuar mësimdhënësve.

“I vetmi kryetar që i takon një partie në opozitë në nivelin qendror, e që ka bërë thirrje që greva të ndërpritet, është Sokol Haliti i LDK-së që udhëheq me Vitinë.

“Pas reflektimit pozitiv të Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritje të pagave në sektorin e arsimit kërkojmë nga mesimdhënësit e Komunës sonë që të rifillojnë mësimin, me qëllimin më të mirë që fëmijët tanë të mos humbasin orët e mësimit”, ka thënë Haliti, përcjell Koha.net. “Ne si institucione komunale jemi të përkushtuar që së bashku me ju dhe të gjithë akterët që të mos dëmtohet procesi mësimor”, ka thënë më tej ai.

I pari që lajmëroi për takime me DKA e drejtorë shkollash ishte komuna e vogël e Junikut, që udhëhiqet nga Agron Kuçi i AAK-së. Madje, kjo Komunë, pa miratimin e mësimdhënësve grevistë, ka thënë se mësimi fillon nesër. Por këtë e ka përgënjeshtruar SBASHK-u.

“Njoftojmë të gjithë qytetarët se nesër me datë 21. 01. 2019, e hënë fillon gjysmëvjetori i dytë në të gjitha shkollat në Komunën së Junikut sipas orarit paraprak. Të gjithë mësimdhënësve dhe nxënësve ju urojmë sukses!”, është shkruar në faqen zyrtare të Komunës së Junikut në Facebook.

Koha.net ka folur edhe me kryetarin Komunës së Junikut, Agron Kuçi, i cili ka përsëritur të njëjtën gjë. Ka thënë se “nesër fillon mësimi në të gjitha shkollat e kësaj komune, për arsye që Qeveria i ka përmbushur kërkesat e mësimdhënësve”.

Ai ka thënë edhe se kjo grevë po shkon vetëm në dëm të nxënësve.

Por ndryshe janë shprehur në SBASHK.

Ymer Ymeri, menaxher financiar në këtë sindikatë, duke rikujtuar se kanë refuzuar kërkesën e Qeverisë ka thënë se “greva do të vazhdojë në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe atë të Junikut”.

“Komuna nuk është ajo që ka hyrë në grevë por mësimdhënësit”, ka thënë ai.

Edhe Arsim Krasniqi, kryetar i degës së SBASHK-ut në këtë Komunë ka thënë se ata nuk do të veprojnë ndryshe nga degët tjera të SBASHK-ut.

Juniku udhëhiqet nga Agron Kuçi i AAK-së së Ramush Haradinajt, kryeministër i vendit.

Koha.net ka provuar të kontaktojë me Rrahman Jasharin e SBASHK-ut, për të marrë një koment të kësaj thirrje që vjen nga komunat, por të dielën para mesnatës e ka pasur të pamundur.