Arbëri

SBASHK-u s’e pranon ofertën e Haradinajt, greva vazhdon

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë për KP se greva në arsim do të vazhdojë.

Duke iu përgjigjur ofertës së qeverisë, ai ka thënë se SBASHK-u s’është i kënaqur me propozimin për rritje 10 për qind.

“Oferta e Qeverisë është minimale. Disa sektorë nuk janë përfshirë fare, e disa të tjerë i bie që kanë rritje vetëm 10%. Dihet kërkesa jonë”, ka thënë ai. “Dihet, grevë do të ketë”.


Sindikata e Bashkuar e Arsimit, e Shkencës dhe e Kulturës me shumë gjasë nuk do ta pranojë ofertën e kryeministrit Ramush Haradinaj, për ngritjen e pagave.

Kjo, pasi sipas sindikalistëve, oferta e Qeverisë nënkupton ngritje të pagave vetëm për 10 për qind, derisa ata insistojnë që kjo ngritje të arrijë në 30 për qind të koeficienteve të punëtorëve të arsimit.

Lexo edhe: Qeveria: Kemi rritur pagat për arsimtarët për 20 milionë euro në vit, ftojmë SBASHK-un ta ndërpresë grevën

Ymer Ymeri, menaxheri për Financa në SBASHK, ka konfirmuar për Kohën Ditore, se brenda pak minutash do të mblidhet Këshilli Drejtues i SBASHK-ut, ku do të merret vendimi përfundimtar rreth pranimit ose jo të ofertës.

“Ngritja prej 10 për qind është shumë e vogël në krahasim me atë që ne po e kërkojmë, dhe në bazë të deklarimeve që i morëm deri tash nga anëtarët e Këshillit, oferta ka gjasa do të refuzohet”, ka thënë ai, duke shtuar se vendimi përfundimtar do të merret së shpejti.