14 persona janë intervistuar deri tani nga Prokuroria Speciale e Policia, për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.
Këtë të enjte, në pyetje është marrë edhe Nexhmi Krasniqi, ish-drejtor i Policisë në Prizren, në kohën kur vdiq ish-aktivisti i Vetëvendosjes.
Tre vjet më parë ai kishte thënë se Dehari ka vdekur shkaku i konsumimit të tepërt të medikamenteve e tani para hetuesve ai e ka konfirmuar këtë deklaratë, raporton KTV.
Ai është intervistuar për më shumë se dy orë, derisa ka thënë se të gjitha informatat atë kohë i kishte marrë nga Destan Zogaj, që ishte drejtor i Burgut të Prizrenit, ku po mbahej Dehari.
Por, përfaqësuesi i familjes Dehari, avokati Tomë Gashi, i cili ishte prezent gjatë intervistmit të Krasniqit, ka thënë se këto deklarata nuk i kishte konfirmuar edhe Zogaj, kur u mor në pyetje disa javë më parë.
Nuk është përjashtuar mundësia që si dëshmitar të ftohet edhe Prokurori Special Sylë Hoxha, i cili më 2016, në cilësinë e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, kishte thënë se dyshohej që Astrit Dehari ka kryer vetëvrasje.
Pos tyre, janë intervistuar edhe oficerë të burgut të Prizrenit, stafi mjekësor i Qendrës së Paraburgimit e të Urgjencës dhe të paraburgosur të kësaj qendre.
Megjithatë, edhe tre persona kanë mbetur të intervistohen nga Prokuroria, në mesin e tyre edhe dy të paraburgosurit që gjendeshin në dhomë me Astrit Deharin, Frok Laski dhe Adonis Gashi.
Por, ky i fundit është në arrati, sepse ishte liruar vitin e kaluar nga paraburgimi derisa vendimi ndaj tij të bëhej i plotfuqishëm, e bashkë me 4 të tjerë, ishin dënuar për rastin e vrasjes së policit Shemsedin Gashi.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka konfirmuar për KTV-në se ndaj tij është lëshuar urdhërarrest në mesin e shtatorit të 2019-s, ani se vendimi për burgimin e tij prej 8 vjetësh u bë i plotfuqishëm në maj nga Gjykata e Apelit.
Ai, fillimisht, nga Gjykata Themelore e Prishtinës, në tetor të vitit 2018, ishte dënuar me 3 vjet e 10 muaj burgim, për “ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë”.
Në tetor të vitit të kaluar, hetimi i vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes iu transferua Prokurorisë Speciale, pas raportit të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.
konstatohej se versioni i Prokurorisë për vetëvrasje të Astrit Deharit dukej pak i besueshëm dhe se mundësia që autoritetet kosovare thanë se Dehari u vetëvra me një shishe mjalti, nuk ishte e mundur.