Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medias, është shprehur e shokuar nga veprimi i Policisë së Kosovës, që pa urdhër të Gjykatës ia ka konfiskuar telefonin personal, mjet të punës, gazetares së Kohës Ditore, Saranda Ramaj.
Ajo ka treguar saktësisht se cilat nene janë shkelur me këtë rast.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Jam e informuar dhe e shokuar që gazetares Saranda Ramaj të Kohës Ditore i është konfiskuar telefoni pa urdhër të gjykatës. Kjo është shkelje flagrante e neni 4, 5 dhe 6 e Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë dhe nenit 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut”, ka thënë Kusari.
Sipas saj, asnjë polic, prokuror apo ndonjë zyrtar tjetër nuk ka të drejtë të konfiskojë materiale të gazetarëve pa urdhër të gjykatës.
“Policët duhet të raportohen në Inspektoratin e Policisë së Kosovës dhe njëkohësisht ndaj tyre duhet të bëhet kallëzim penal për shkeljen e Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë”, ka thënë Kusari.
Për Koha.net, Kusari ka thënë se “mbrojtja e burimeve të gazetarëve është një ndër kriteret bazike të lirisë së mediave, prandaj edhe mbrohet me instrumente ndërkombëtare dhe ligje vendore”.
“Pa një mbrojtje të tillë, burimet mund të dekurajohen që të ndihmojnë gazetarët në informimin e publikut për çështje me interes të përgjithshëm. Si rezultat, roli i mediave si mbikëqyrës shoqëror do të nënvlerësohej dhe aftësia e mediave që të raportojnë do të ndikohej negativisht”, ka thënë ajo.
Sot Policia e Kosovës, ia ka konfiskuar telefonin gazetares së Kohës Ditore, Saranda Ramajt, të cilin ajo e ka edhe mjet të punës së saj të përditshme.
E ka bërë këtë pa vendim të Gjykatës, dhe po e mbanë të konfiskuar për më shumë se një orë.
Gjykatësja gojarisht është shprehur se ndalohet incizimi në seancë, por nuk ka nxjerr aktvendim me të cilin ndalon incizimin e seancës.
Ramaj ka konsideruar se e ka të pamundur të raportojë drejt nga seanca vetëm duke mbajtur në mend se çfarë flitet aty dhe kësisoj ka përdorur telefonin e saj për incizim, siç bënë në të gjitha rastet e tjera, edhe kur raporton nga Gjykata.