Haxhiu: Projektin e Thaçit për ndarje po do ta shpëtojë PSD-ja

Konjufca u kërkon falje votuesve të Vetëvendosjes se futi në listë për deputetë këta të PSD-së

15 December 2018 13:42
13:58

Shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, u ka kërkuar falje votuesve të partisë së tij, pse kishte vendosur në listën për kandidatë të deputetëve 12 deputetët që tash janë në PSD.

Ka thënë se në Vetëvendosje, ata as ëndërr nuk kishin mundur që ta shohin këtë pazar me Hashim Thaçin. Ka thënë kështu në një konferencë të jashtëzakonshme për media, në prag të seancës së jashtëzakonshme ku pritet të votohet për rezolutën e propozuar nga PSD-ja për dialog e ekip të përbashkët në bisedimet me Serbinë.

“Më duhet që t’u kërkojë falje elektoratit të Vetëvendosjes që kemi vendosur në listë për deputetë këso njerëz, që i ndryshojnë qëndrimet si çorapet. Brenda Vetëvendosjes këta njerëz nuk kishin mundur as ëndërr ta shohin këtë pazar me Hashim Thaçin. Pikërisht ambicia e tyre që doli mbi interesin e Vetëvendosjes bëri që këta të dalin prej Lëvizjes”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij, edhe ky është projekt i Hashim Thaçit. Konjufca, gjithashtu tha se “projekti i Thaçit e ka dëmtuar rëndë shtetësinë e Kosovës”.

“Nuk mund të shkojmë në dialog me Serbinë me kësi ngutie. S’mund të krijojmë konsensus artificial ashtu siç po kërkon PSD-ja, kjo na çon në dështim të plotë”, tha ai.

“Thaçi i ka në dorë vegëzat për ta rrëzuar Haradinajn, sepse e ka PDK-në. E vetmja mënyrë është që PSD-ja të hyjë në sqetullën e qeverisë Haradinaj”, ka thënë Konjuca.

Konjufca ka thënë se të gjithë ata që kanë pasur dilema për mënyrën se si këta deputetë e lanë Vetëvendosjen, tani e kanë të qartë se pse u larguan ata. Ka thënë se nuk ndodh në asnjë vend të botës që dikush t’i marrë votat në emër të vetëvendosjes kundër dialogut, dhe në të kundërtën të bëhet thelb i të kundërtës.

“Le të shihet sot, qartë, se kush po bëhet faktori kryesor i mbijetesës së Qeverisë Haradinaj. Do ta shihni një seancë që është paralajmërim edhe i plotësimit të Qeverisë në ditët e ardhshme”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se rënien e sigurt të kësaj qeverie që kurrë nuk e ka ditur se sa numra i ka, sepse ka qenë e brishtë, po e shpëton PSD-ja.

“Pas dështimit të Kosovës në Interpol, pas dështimit të liberalizimit të vizave ku pushtetarët i kanë gënjyer qytetarët, doli në skenë PSD-ja, për t’iu gjet kësaj qeverie nga rënia e sigurt”, ka thënë Konjufca.

Sipas Konjufcës, kur është fjala për nguti, këtu nuk po ka nguti për ta përmirësuar arsimin e shëndetësinë, as për ta luftuar për korrupsionin.

“Fjala nguti po përdoret vetëm në dialogun me Serbinë”, ka thënë ai.

13:42

Haxhiu: Projektin e Thaçit për ndarje po do ta shpëtojë PSD-ja

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në një konferencë për media në sallën e Kuvendit të Kosovës, ka përsëritur qëndrimin se partia e saj nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme dhe se PSD-ja po do ta shpëtojë projektin e Hashim Thaçit për ndarje.

“Nuk do të jemi të pranishëm në seancë. Projekti i Hashim Thaçit ka ngecur dhe projektin e tij po do ta shpëtojë PSD-ja. Atij [Thaçit] po i duhen vagonët dhe këta vagonë janë [Fatmir] Limaj dhe [Shpend] Ahmeti”, ka thënë Haxhiu.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme