Arbëri

Dilemat e Kurtit për transformimin e FSK-së

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha sonte se ka shumë pikëpyetje për transformimin e FSK-së.

Në një intervistë për rtv21, Kurti tha se qeverisë së Kosovës i mungon përkushtimi buxhetor për këtë forcë.

“Në projektligjin e 2019 janë paraparë vetëm 58 milionë euro për FSK-në. Përkushtimi buxhetor për FSK-në e ardhshme është mjaft i mangët”, tha Kurti.

Çështje tjera të cilat Kurti tha se duhet të adresohen është edhe shtrirja e FSK-së dhe në këtë drejtim ai e kritikoi kryeministrin Ramush Haradinaj që tha ditë më parë se Kosova e ka FSK-në për misione paqeruajtëse jashtë.

“Kjo i dekurajon ushtarët e tu kur u thua se i ke ushtarët për një kontinent tjetër e jo për vendin tënd. Sa merremi me shikimin e topit të pingpongut me deklaratat e ndërkombëtarëve duhet të merremi me aftësitë e FSK-së. Ajo duhet ta reflektojë territorin dhe popullsinë tonë por edhe raportin me fqinjtë tanë, sidomos me Serbinë, e cila për çdo ditë na kërcënon”, tha ai.

Kurti e mirëpriti deklaratën e mbrëmshme të ambasadorit amerikan Philip Kosnett për FSK-në.

“Boshti dhe thelbi i NATO-s janë SHBA-të dhe mbështetja që i dhanë ato transformimit të FSK-së janë shumë të rëndësishme”, tha Kurti.