Arbëri

Kosova dënon me tone të ashpra deklaratën e Rouhanit për Izraelin

Ministria e Jashtme e Kosovës ka dënuar ashpër deklaratat e presidentit të Iranit, Hassan Rouhani, për Izraelin.

Rouhani, të shtunën u bëri thirrje myslimanëve, përfshirë edhe ata në Arabinë Saudite, rivalin rajonal të Iranit, që të kundërshtojnë SHBA-në. Ai me këtë rast e etiketoi Izraelin si “regjim të rremë” të krijuar nga shtetet Perëndimore, dhe e lidhi formimin e tij pas Luftës së Dytë Botërore me “një tumor kanceroz në rajon”.

Por, MPJ e Kosovës i ka dalë në mbrojtje shtetit të Izraelit, duke thënë se e drejta për ekzistencë i takon këtij shteti dhe “kurrë nuk do të tolerojë” që të ndryshohet kjo, raporton Koha.net.

“Kosova dënon në mënyrën më të ashpër të mundshme deklaratat krejtësisht të papranueshme nga presidenti i Iranit, Rouhani mbi Izraelin. E drejta e Izraelit për ekzistencë është e panegociueshme. Kosova kurrë nuk do të tolerojnë përpjekjet për të ndryshuar këtë”, shkruan në postimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës në Twitter.

Irani mbështet grupet militante si Hezbollahu e Hamasi, që janë zotuar për shkatërrimin e Izraelit. Irani asnjëherë nuk ka kërcënuar se do ta sulmojë Izraelin, por është zotuar se do të hakmerret nëse sulmohet. Izraeli e konsideron Iranin si një kërcënim ekzistencial.

Kujtojmë se shtetin e Kosovës nuk e kanë njohur asnjëra nga dy shtetet e sipërpërmendura.