Sulmet Izrael-Iran

Qeveria e Kosovës: Irani të ndalojë veprimet hibride, zgjidhja diplomatike është rruga e duhur

Albin Kurti

Qeveria e Kosovës ka thënë se Irani duhet të ndalojë veprimet hibride që cenojnë stabilitetin rajonal dhe se rruga diplomatike është e duhura për ta zgjidhur konfliktin, pas përshkallëzimit të situatës me Izraelin.

Që nga e premtja, Izraeli dhe Irani kanë intensifikuar sulmet ndaj njëri-tjetrit. Izraeli nisi sulmet duke synuar objektet bërthamore dhe ushtarake të Iranit, e më pas erdhi kundërpërgjigja nga Teherani.

“Republika e Kosovës po e përcjell me shqetësim situatën e tensionuar mes Izraelit dhe Iranit dhe u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira që të përmbahen, me qëllim të shmangies së përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës së sigurisë në rajon”, thuhet në reagimin e Zyrës së Kryeministrit.

Duke iu referuar të dhënave të fundit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA), ku theksohet se Irani nuk po i përmbush detyrimet e tij për mospërhapjen bërthamore, Qeveria e Kosovës ka thënë se Teherani duhet të ndalë veprimet hibride që cenojnë stabilitetin rajonal dhe më gjerë dhe “t'i përmbahet detyrimeve të IAEA”.

“Zgjidhja diplomatike është rruga e duhur për adresimin e çështjeve të sigurisë, ndaljen e dhunës dhe parandalimin e pasojave më të gjera rajonale e globale”, thuhet më tej në deklaratë.

Qeveria u bën thirrje qytetarëve të Kosovës, veçanërisht atyre që ndodhen në rajon apo kanë kontakte atje, që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin me përpikëri udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe të autoriteteve lokale.

Në përfundim, Qeveria ka thënë se riafirmon përkushtimin e saj ndaj vlerave të paqes, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare, duke shprehur solidaritet me të gjithë qytetarët e prekur nga konflikti aktual.

Lexo përditësimet tjera
iran

Izraeli dhe Irani vazhdojnë sulmet për të dytën ditë

Të shtunën, për të dytën ditë, po vazhdojnë sulmet në Izrael dhe Iran. Të premten Izraeli...