Arbëri

13 ujditë Kosovë-Shqipëri me ndikim të madh ekonomik, kërkohet zbatimi i tyre

Marrëveshjet e arritura mes Shqipërisë dhe Kosovës të premten në Elbasan pritet të kenë ndikim të madh në ekonominë e vendeve. Njohësit thonë se disa nga marrëveshjet përveç se do të lehtësojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, do t’u krijojnë lehtësira edhe bizneseve për eksport dhe import. Ata kërkojnë që kurorëzimi i këtyre marrëveshje të mos mbetet vetëm në letër.

Marrëveshjet e nënshkruara të premten në Elbasan mes Kosovës dhe Shqipërisë vlerësohet se i kanë kontribuuar aspektit ekonomik të të dyja vendeve.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë të premten në Elbasan ranë në ujdi për 13 veprime reciproke shtetërore, që mes tjerash do ta lehtësojnë lëvizjen e njerëzve e mallrave.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i ka përshëndetur këto marrëveshje, derisa ka shtuar se zbatimi i tyre do të sillte bilanc pozitiv për të dyja shtetet.

“Marrëveshjet në fushën e kufirit, siç janë tri marrëveshjet e nënshkruara nga ministrat e brendshëm, kanë një impakt shumë pozitiv për lëvizshmërinë e lirë të njerëzve por edhe të mallrave midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ka pasur herë pas here pengesa por këto kanë ardhur jo aq sa prej pengesave burokratike por nga mungesa ligjore. Duhen vendime të forta midis organeve më të larta të shtetit pse jo edhe të qeverive”, ka thënë ai.

Disa nga marrëveshjet e nënshkruara përfshijnë hapjen e kufirit Kukës-Dragash, regjimin e trafikut të kufirit, lehtësimin e procedurave të doganimit e të kontrollit të lëvizjes së mallrave, lehtësimin e kushteve për lejeqëndrim të përkohshëm dhe ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë.

Kjo e fundit, sipas ekonomistit Sejdi Rexhepi, do të ndikojë mjaft shumë në aspektin ekonomik në Kosovë.

Ndonëse ka pasur shumë marrëveshje që janë lidhur me Shqipërinë e nuk janë zbatuar, Rexhepi thotë se këto të fundit mund të realizohen, porse sipas tij, duhet që entuziazmi i njëjtë i nënshkrimit t’i përcjellë deri në zbatim.

“Realizimi i marrëveshjeve të çfarëdo natyre qofshin ato, duke përfshirë edhe këtë të ndërtimit të hekurudhës, kanë dhe do të kenë faktikisht efekte të jashtëzakonshme për ekonominë, për arsye se kështu do të shkurtohen shumë rrugë dhe kosto, të cilat i kanë bizneset për qarkullimin e mallrave”, ka thënë ai.

Mbledhja e parë e të dy qeverive është mbajtur më 2014-n dhe kjo që u mbajt të premten e shënoi takimin e shtatë mes dy qeverive.