Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Kosova mirëpret biznesin dhe kapitalin e Shqipërisë

“Midis Shqipërisë dhe Kosovës gjerë më tani janë nënshkruar përgjatë viteve gjithsej 184 marrëveshje, protokolle e memorandume. Ndër marrëveshjet e nënshkruara mes palëve, një vend të rëndësishëm zënë marrëveshjet me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën ekonomike të qytetarëve, bizneseve por edhe më gjerë”, ka deklaruar Kurti në fjalimin që mbajti në ditën e dytë të punimeve të konferencës shkencore që po mbahet në Prishtinë me pjesëmarrjen e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës e të Shqipërisë

Investimet nga Shqipëria në Kosovë brenda katër viteve të fundit kanë shënuar rritje me 136.5%, përkatësisht nga 15.2 milionë euro sa ishin në vitin 2019 në 79.7 milionë euro në vitin 2022, ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin që mbajti në ditën e dytë të punimeve të konferencës shkencore me temën: “Sfidat dhe perspektiva e bashkëpunimit ekonomik Kosovë-Shqipëri dhe rajon”, që mbahet në Prishtinë.

Kurti më tej ka thënë se dëshiron që këto investime të rriten, dhe që shteti i Kosovës të jetë sa më mikpritës për biznesin, kapitalin e konsumatorin që vjen nga Shqipëria. Ai ka treguar se në funksion të këtij përmirësimi janë marrëveshjet e arritura mes dy vendeve.

“Midis Shqipërisë dhe Kosovës gjerë më tani janë nënshkruar përgjatë viteve gjithsej 184 marrëveshje, protokolle e memorandume. Ndër marrëveshjet e nënshkruara mes palëve, një vend të rëndësishëm zënë marrëveshjet me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën ekonomike të qytetarëve, bizneseve, por edhe më gjerë. Bashkëpunimi, konkurrenca, shpërndarja e rishpërndarja e të mirave dhe e shërbimeve, të gjitha këto procese vitale për ekonominë, lehtësohen, përmirësohen, shpeshtohen e na japin më shumë frymë e gjallëri në vendet tona, në shoqëri e në shtet”, ka thënë Kurti para përfaqësuesve të Akademisë së Shkencave dhe Artit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë dhe pjesëmarrësve tjerë.

Ai ka përmendur marrëveshjet që kanë për qëllim lehtësimin e mëtejshëm të tregtisë, thellimin e bashkëpunimit ekonomik, heqjen e barrierave tregtare midis Shqipërisë dhe Kosovës, por se sipas tij ato nuk e zbatojnë vetveten.

“Të gjithë, edhe individët, edhe bizneset, edhe akademikët e politikanët, duhet të dëgjojmë e të shohim që ekonomia po përmirësohet, por më së pari duam ta ndjejmë këtë në jetët tona të përditshme. Pra, të nxjerrim konkluzione pozitive, progresiste edhe nga përvojat”, ka shtuar Kurti.

Kryeministri ka përmendur hapjen e zyrave doganore të Kosovës, në Durrës e Porto Romano ku kryhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën, njohjen e periudhave të sigurimeve dhe kontributeve të paguara për shtetasit e të dy vendeve dhe përfitimi i pensioneve të pleqërisë e përfitimeve të tjera të skemës së kontributeve shoqërore, dhe lëvizjen pa asnjë kontroll të qytetarëve tanë gjatë sezonit veror (qershor- shtator), gjatë fundjavave e gjatë ditëve të pushimeve shtetërore.

“Kjo, pasi një rëndësi të veçantë të shkëmbimit ekonomik mes dy vendeve kanë edhe ato në fushën e turizmit. Për vitin 2022, sipas burimeve nga Policia e Kosovës, në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë - Vërmicë kanë kaluar rreth 8.2 milionë qytetarë, duke rritur fluksin e kalimeve në këtë pikë. Pra, është një numër i madh udhëtimesh në të dyja krahët, e secila prej këtyre udhëtimeve ka edhe domethënien e vet në ekonomitë tona. Prandaj lehtësimi i lëvizjes, me sa më pak vonesa e kontrolle, i shërben patjetër edhe rritjes së ekonomisë”, ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës.

Edhe Kurti: Për dy vjet e gjysmë janë arritur dhe vënë në zbatim 58 marrëveshje me Shqipërinë Arbëri Kurti: Për dy vjet e gjysmë janë arritur dhe vënë në zbatim 58 marrëveshje me Shqipërinë

Ai ka prezantuar të dhënat që flasin për tendencë më të madhe të qytetarëve të Kosovës për ta vizituar Shqipërinë se sa anasjelltas.

“Do të kisha theksuar një studim të para disa vjet[ve, që thoshte se afër 90% të qytetarëve të Kosovës kanë qenë në Republikën e Shqipërisë, ndërkaq diku rreth 1/3 e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë kanë qenë në Republikën e Kosovës. Kjo tregon se ka vend për përmirësim, por sidomos është e qartë edhe kahja e këtij përmirësimi. Kemi nevojë që sa më shumë qytetarë nga Shqipëria ta vizitojnë Kosovën dhe të kalojnë kohë duke takuar njerëz e duke shkëmbyer ide e përvoja sa më shumë, sepse në kahen tjetër kjo tashmë ka edhe përmasë të lartë edhe traditë të zakonshmërisë”.

Kurti ka treguar për bashkëpunimin për projektin e ndërtimit të lidhjes hekurudhore Durrës – Prishtinë, për të cilin ka thënë se po ndiqen procedurat e prokurimit për studimin e fizibilitetit dhe projekt-idesë për këtë projekt.