Arbëri

Gjermania është kundër shkëmbimit të territoreve, mbështet Kosovën në Interpol

Beograd, 14 nëntor – Ambasadori i Gjermanisë në Serbi, Thomas Schieb, deklaroi sot në Beograd se vendi i tij është kundër shkëmbimit të territoreve midis Serbisë e Kosovës, ndërsa përkrah anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

“Anëtarësimi i Kosovës në Interpol mund t’i kontribuojë luftës kundër krimit”, e citojnë ambasadorin gjerman mediat e Beogradit, transmeton Koha.net.

“Pohohet se kjo mund të zgjidhet përmes UNMIK-ut, por ajo zgjat më shumë se po të jetë Policia e Kosovës anëtare e Interpolit”, ka shtuar ambasadori Schieb.

Siç ka sqaruar ai, anëtarësim në Interpol kërkon Policia e Kosovës dhe jo Kosova.

Për anëtarësim ose jo të Kosovës në Interpol do të votohet në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit, që do të mbahet nga data 18 deri më 21 nëntor në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Por, siç ka thënë ambasadori Thomas Schieb, Gjewrmani është kundër shkëmbimit të territoreve midis Serbisë e Kosovës dhe se këtë qëndrim e kanë edhe shumica e vendeve të BE-së dhe ato të rajonit.

“Vetë kancelaria (Angela Merkel) e ka përsëritur disa herë këtë qëndrim dhe ai vazhdon të mbetet. E di se ka pasur spekulime se ndoshta Gjermania e ka ndryshuar mendimin, por qëndrimi gjerman mbetet ashtu si më parë”, i ka thënë ambasadori gjerman TV N1., transmeton Koha.net.

Ambasadori Thomas Schieb ka thënë se Gjermania druan se shkëmbimi i territoreve mund të ketë implikime në rajon, se ndoshta do t’i ndihmonte zgjidhjes së problemit të Kosovës, por do të nxiste probleme në pjesë të tjera të rajonit, që nuk mund të parashikohen.

Schieb tha se nuk është e saktë që “përmes shkëmbimit të një pjese të vogël të territorit zgjidhet nyja e Kosovës” dhe shtoi se janë një varg çështjesh, si mbrojtja e pakica, mbrojtja e trashëgimisë kishtare dhe shumë çështje të tjera, ndërsa ridefinimi i kufirit vetëm zhvendos vëmendjen prej tyre.

Në lidhje me konstatimet se komisari i BE-së për Zgjerim Johannes Hahn dhe Uashingtoni do të mbështesnin çfarëdo marrëveshjeje që arrijnë Beogradi e Prishtina, Thomas Schieb tha se ata nuk kanë thënë se mbështesin shkëmbimin e territoreve, transmeton Koha.net.