Arbëri

KOSTT-i pranon dështimin në ENTSO-E, thotë se Serbia po përfiton jashtëligjshëm nga rryma në veri

Descriptive Text

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, KOSTT, pranon të ketë dështuar të anëtarësohet në ENTSO-E e cila do të ofronte zgjidhje të përkohshme të çështjes së devijimeve të paqëllimshme, si pasojë e bllokimit të implementimit të Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT-ENTSO-E nga pala serbe (operatori i sistemit të transmetimit të Serbisë – EMS).

KOSTT thotë se më datë 25 tetor 2018, ENTSO-E (Grupi Regjional e Evropës Kontinentale ang. RGCE), ka përpiluar një propozim për zgjidhje të përkohshme teknike me qëllim të ndërprerjes së devijimeve të paqëllimshme, raporton Koha.net.

Në këtë kontekst, ENTSO-E ka propozuar që KOSTT-i defakto të njihet si zonë/bllok rregullues i pavarur në hierarkinë operative të Evropës Kontinentale, por që prodhimi i energjisë elektrike nga HC Ujmani të shfrytëzohet për furnizimin e veriut të Kosovës.

“KOSTT ka konsideruar se implementimi i propozimit të ENTSO-E do të ishte ndërhyrje në operimin normal të sistemit elektroenergjetik të Kosovës nga ana e Serbisë, dhe do të cenonte operimin e aseteve shtetërore sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, duke mundësuar kontrollin e prodhimit të ‘HC Ujmani’ nga ana e Serbisë”, thotë KOSTT-i në një njoftim për media.

Më tej, thuhet se paraprakisht ky propozim është refuzuar nga KOSTT-i më datë 26 tetor 2018 për shkak të përfshirjes së “HC Ujmani” në propozim, por gjithashtu është refuzuar edhe nga EMS për shkak të njohjes defakto të KOSTT-it si zonë/bllok rregullues nga ana e ENTSO-E.

“Ky propozim teknik i përkohshëm nga ENTSO-E është hedhur në votim nga kryesuesi i RGCE te të gjitha OST-t e Evropës Kontinentale. Propozimi i ENTSO-E nuk ka marrë votat e nevojshme për miratim. Sipas informatave të KOSTT-it, propozimi ka marrë 65% të votave nga 72% të nevojshme për miratim”, deklaron Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, KOSTT.

KOSTT thotë se Serbia dhe operatori serb EMS vazhdojnë obstruksionet ndaj tyre dhe Kosovës në lidhje me implementimin e Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT-ENTSO-E, si dhe marrëveshjeve tjera ndërmjet KOSTT dhe EMS.

“Me ketë EMS vazhdon të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme nga alokimi i kapaciteteve interkonektive të KOSTT-it dhe njëkohësisht pamundëson operimin e linjës 400kV Kosovë-Shqipëri. Mos implementimi i Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT-ENTSO-E pengon zhvillimin e sektorit të energjisë në Kosovë dhe implementimin e masave të vendosura nga iniciativa WB6 (Procesi i Berlinit) si dhe shkakton dëme financiare në vlerë prej rreth 20 milion euro në vit”, ka thënë KOSTT-i në këtë sqarim për opinionin.

Në fund, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, KOSTT, i ka bërë apel të gjitha institucioneve vendimmarrëse ndërkombëtare që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për implementimin e plotë të Marrëveshjes së Kyçjes nga pala serbe.