7 perditesime
21:19

Ahmeti i kërkon Qeverisë të mos lëshojë pe në vendimin për taksim të mallrave serbe e boshnjake

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti ka thënë se është koha e fundit kur Kosova duhet ta ruajë veten karshi sulmeve që po i bëhen, referuar vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për masën mbrojtëse prej 10 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja.

Ai i është drejtuar Qeverisë së Kosovës duke thënë se nuk duhet lëshuar pe nga presionet të cilat do të vijnë.

“Mos lëshoni pe nga presioni i cili vjen, nuk e di qysh është ai presion”, tha ai. “Tash si PSD, secilit ambasador që do të vjen, do t’i them këto që po ua them juve, as mos t’ju shkojë mendja të na tregoni se çka të bëjmë në këtë drejtim. A e shihni se çfarë janë duke bërë, në çdo hap po mundohen të na dëmtojnë, e tash ne t’ua ruajmë fitimet e kompanive të tyre a?”, deklaroi Ahmeti.

Këshilltari Politik i Kryeministrit, Halil Matoshi ka bërë të ditur se ky vendim tashmë i është dërguar menjëherë doganave të Kosovës.

Sipas tij, vendimi është marrë pas analizave që janë bërë nga ministritë përkatëse. Por, Bashkimi Evropian ka kërkuar shfuqizim të vendimit. Derisa, ka thënë se me këtë Kosova po e shkel marrëveshjen e CEFTA-s.

21:09

Ahmeti tregon kushtin e socialdemokratëve për të marrë pjesë në ekipin negociator

Socialdemokratët janë të gatshëm të marrin në pjesë në ekipin negocatior për dialogun në Bruksel.

Këtë për Rubikon të KTV-së e bëri të ditur kryetari i kësaj partie, Shpend Ahmeti.

Kushti i vetëm i tyre është që t’u jepet përgjegjësi dhe jo vetëm të ftohen për të zënë një karrige më shumë.

“Ju i merrni këto përgjegjësi dhe ekipi negociator është i vetmi që vendos se cila do të jetë marrëveshja, do të raportohet në Kuvend në baza mujore, ky do të jetë komisioni mbikëqyrës, do të përfshihet shoqëria civile, do të ketë 15 grupe punuese, do të flasim për krimet dhe dëmet e luftës, ndarjen e aseteve, të drejtat e serbëve, shqiptarëve...”, ka thënë ai.

21:04

Shpend Ahmeti i bën thirrje Albin Kurtit për përballje televizive

Shpend Ahmeti, i pyetur nëse do të ishte i gatshëm të përballej me drejtorët e Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës, ka thënë se ai do të përballej publikisht me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.

“Ju më pyetët a ballafaqoheni me drejtorë. Jo, nuk kam pse të ballafaqohem me drejtorët sepse nuk janë ata përgjegjës për këtë situatë. Përgjegjës janë kreu dhe rrethi i ngushtë i Lëvizjes Vetëvendosjes dhe jam unë, pra nuk po e shfajësoj veten nga përgjegjësia”.

Ai bëri të ditur se është i gatshëm në çdo kohë që të përballet në një studio televizive me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.

20:54

“Albin Kurti i thotë Tinka Kurtit të shkruajë status”

Sipas fjalëve të Shpend Ahmetit, lideri i Vetëvendosje, Albin Kurti, fsheh dorën e tij dhe shtyn përpara njerëz të partisë që të reagojnë me deklarata e statuse në rrjetet sociale.

Ahmeti, në Rubikon të KTV-së, thotë se në kohën sa ishin në Vetëvendosje, mblidheshin për të vendosur se kush do të shkruajë status.

“E vendosin Besnik Bislimin të më shajë sepse unë ua di edhe stilin. ‘Le të merret Besniku me ta, apo Liburni, vendoseni Glaukun le të thotë fjalë kundër Shpendit’, për mos me fol Albini, në mënyrë që të dal unë këtu në emision tash dhe të merrem me deklaratat e Besnikut e të tjerëve. Kur ishte pyetja më herët se a po del ‘jo nuk është nivel i imi, çojeni dikë tjetër le të merret me të... apo thuaji Tinka Kurtës le ta shkruajë një status e le t’i reagojnë Tinkës, sepse unë jam tjetër nivel dhe duhet të ballafaqohem me Hashimin e këta’”, ka thënë Ahmeti.

20:51

Ahmeti paralajmëron padi ndaj Bislimit dhe zyrtarëve tjerë të VV-së

Besnik Bislimi, nënkryetar i PSD-së, në intervistën dhënë për Rubikon, akuzoi Komunën e Prishtinës dhe kryetarin Shpend Ahmeti se është i korruptuar.

Sonte, në po të njëjtën studio, Ahmeti hodhi poshtë çdo akuzë të Bislimit duke thënë se ai foli çdo gjë që i kishte thënë partia t’i thoshte.

“Del këtu nënkryetari i një subjekti, ja fut akuza palidhje, sepse i ka dëgjuar duke thënë diçka ose i kanë thënë të thotë ashtu”.

Ahmeti bëri të ditur se në rast se Vetëvendosje dhe përfaqësuesit e saj vazhdojnë të drejtojnë akuza të tilla, atëherë do të ushtrojë padi ndaj tyre.

“Është mirë të më thërrasë, sepse mendoj që Besniku e di që unë nuk korruptohem dhe nuk ka gjasa të ndodhë ajo. Nuk është hera e parë që unë dërgoj njerëz në Prokurori”, ka thënë ai.

“Integritet apo jo, unë mendoj që kur dikush flet dhe thotë ka marrë para dikur, sa më e madhe ndërtesa aq më shumë para... Unë mund t’i dërgoj padi nesër dhe le t’i dërgojë dëshmitë se kush ka dhënë para dhe për cilat ndërtesa është fjala”.

“Tash të dalësh e të pretendosh që paska ndryshuar çdo gjë veç pse jemi nda, nuk bën. E kam pas koleg, kemi punuar një kohë të gjatë bashkë, por nëse vazhdojnë kështu, do të ushtroj padi. Në qoftë se vazhdojnë, nuk do të hezitoj më”, potencoi kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

20:42

Ahmeti: Liburn Aliu më kishte thënë se jam figura kyçe e Vetëvendosjes

Shpend Ahmeti në Rubikon të KTV-së kujton se si është vlerësuar në Lëvizjen Vetëvendosje gjatë kohës sa ishte aty.

Madje përmend edhe Liburn Aliun, i cili sipas Ahmetit, atë kohë e konsideronte si figurën më të rëndësishme në Lëvizje.

Ahmeti thotë se është pikërisht Liburn Aliu, të cilin, në mandatin e parë qeverisës me Prishtinën kur ai shërbente si Drejtor i Urbanizmit, nuk e kishte lejuar të bënte disa gabime, por që i cili tash po e akuzon Ahmetin se ishte i vonshëm në vendime.

“Tash, përveç që fol për sot, ai fol edhe për mandatin e parë. Unë e kuptoj që ndarja nuk ka ndodhur në mënyrën më të mirë të mundshme, ka shumë emocione, edhe të njerëzit që kanë mbetur, edhe te ata që janë larguar, sepse ka të tillë që tërë jetën e kanë kaluar në Vetëvendosje mirëpo unë kam menduar që për hir të kohës që kemi kaluar bashkë dhe për hir të qeverisjes në Prishtinë”, shtoi ai.

20:33

Ahmeti: Nuk ka koalicion me PDK-në

I pari i Prishtinës ka përjashtuar çdo mundësi për koalicion të mundshëm mes PSD-së dhe PDK-së në Komunën e Prishtinës.

Madje, Shpend Ahmeti ka thënë se të gjitha këto, siç i ka quajtur ai, thashetheme, janë bërë nga pikërisht drejtorët e Vetëvendosjes brenda Komunës së Prishtinës.

“Edhe thashethemi që doli në portale se gjoja unë jam në prag të koalicioni me PDK-në, nuk është i vërtetë dhe është nisur nga njerëzit e Lëvizjes Vetëvendosje për të rritur koston e shkarkimit, për të thënë se po i zëvendëson me PDK-në. Kjo është absolutisht e pavërtetë, nuk ka asgjë të tillë, nuk ka pasur bisedime dhe nuk do të ketë bisedime të tilla për koalicion me PDK-në”, theksoi Ahmeti në Rubikon të KTV-së.

20:28

Ahmeti vendos t’i shkarkojë dy prej tre drejtorëve të Vetëvendosjes

Pas paralajmërimeve që bëri, sonte, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në Rubikon të KTV-së për herë të parë bëri të ditur shkarkimin definitiv të dy prej tre drejtorëve të Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës.

“Ata sillen thua se armiku më i madh i Kosovës jam unë dhe në të njëjtën kohë qëndrojnë në qeverisje, pra gati se një situatë që nuk mund të mbahet më. Unë tashmë e kam marrë vendimin që këtë javë të shkarkohen, dy drejtorë, ai i Shëndetësisë dhe Kadastrit, pasi ata dy kanë qenë të deleguar ndërsa për drejtorin e Kulturës ka qenë marrëveshja e imja me të, personalisht kur ka hyrë në listë dhe i mbetet atij nëse do të vazhdojë punën në Prishtinën që e ka filluar apo dëshiron që për shkak të subjektit politik, të largohet”, ka thënë Ahmeti.

Kryetari i Komunës së Prishtinës kishte pranuar ditë më parë se është në prag të shkarkimit të drejtorëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai kishte thënë se pritjes së tij 5 muajshe në ofertën për koalicion, bërë ish-partisë së tij, ku asaj i ofrohet numri më i madh i drejtorive brenda koalicionit, po i vjen fundi.