Arbëri

Austria, sipas mediave serbe mbështet edhe ndryshimin e kufijve nëse me të arrihet paqja

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka thënë se është i vetëdijshëm se rruga drejt zgjidhjes apo marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë është e gjatë.

Në një konferencë për media pas takimit që pati me presidentin serbe, Aleksandar Vuçiq në Beograd, në pyetjen rreth ndryshimit të kufijve, Kurz tha se qëndrimi i qeverisë austriake është i qartë, por se do të mbështeste edhe ndryshimin e kufijve si zgjidhje për paqen.

“Nëse vjen deri tek një marrëveshje që do të mund të sillte paqe, ne nuk do të pengojmë atë marrëveshje, por do ta mbështesim”, citohet të ketë thënë Kurzi, sipas Tanjugut, ndërsa ka theksuar se ky është edhe qëndrimi i shumicës së shteteve anëtare të BE-së.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka thënë se Austria mbështet çdo zgjidhje për Kosovën të cilën do të mund ta arrinin edhe pala serbe edhe ajo shqiptare, raporton FoNet.

“Ekziston nevoja për zgjidhje kompromisi, por më shumë se 60 për qind e popullatës në Serbi është kundër marrëveshjes me shqiptarët”, ka thënë Vuçiqi pas bisedës me kancelarin austriak, Sebastian Kurz, transmeton Koha.net.

Kancelari Kurz pritet që sonte, në mbrëmje, të arrijë në Kosovë.

Siç merret vesh, ai do të takohet me presidentin e vendit, Hashim Thaçi si dhe me kryeministrin Ramush Haradinaj. Po ashtu gjatë qëndrimit të tij në Kosovë do të zhvillojë takime edhe me ushtarët austriakë të KFOR-it.

Në njoftimin e kabinetit qeveritar të kryeministrit të Austrisë u tha se ai gjatë vizitës në Serbi dhe Kosovë do t’i japë mbështetje procesit të afrimit të vendeve të Ballkanit me BE-në dhe të inkurajojë perspektivën euroatlantike të këtyre vendeve, duke inkurajuar edhe vazhdimin e dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Arritja e një marrëveshje përmes dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, është kusht për anëtarësimin e plotë të dy vendeve në BE”, thuhet në njoftimin e Qeverisë austriake.

“Bashkimi Evropian do të jetë i plotë vetëm pasi të jenë anëtarësuar edhe vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në raportimin e APA-s.