Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka pritur sot në takim kryetarin e komunës së Shtimes, Naim Ismajli, me të cilin kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për bashkëfinancimin e projektit, “Rregullimi i parkut – sheshit të qytetit në Shtime”.
Ministri Matoshi e ka quajtur projekt mjaft të rëndësishëm por të vonuar për Shtimen. Ministria që ai drejton këtë vit po e financon me 120 mijë euro.
Tutje ai vlerësoi së pjesë e prioriteteve të tij gjatë mandatit të tij si ministër ka qenë përkrahja e komunave në shtimin e zonave të gjelberta dhe mirëmbajtjen e tyre.
“MMPH për të inkurajuar komunat në përmirësimin e gjendjes se mjedisit, së bashku me GIZ-in ka lansuar grantin e përformances ku komunat që i japin prioritet mjedisit, punojnë në avancimin e gjendjes së mjedisit do të shpërblehen me grante në formë projektesh”, ka deklaruar Matoshi.
Nga ana tjetër kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli, ka thënë se për këtë projekt do të ndajnë mjete financiare edhe nga komuna që ai drejton.