Sektori i pylltarisë në Komunën e Vitisë në periudhën janar- dhjetor ka konfiskuar 27 automjete me 115 metra kub të masës drusore. Sipas sektorit të pylltarisë, gjykata ka shqiptuar gjoba në vlerë deri në 6 mijë euro ndaj 20 personave, të cilët janë kapur duke shkatërruar pyjet me këtë veprimtari ilegale, shkruan sot Koha Ditore.
Përgjegjësi i sektorit të pyllit në Viti, Kadri Ismajli, ka deklaruar se këtë vit ka pasur një mobilizim më të madh të qeverisjes komunale me qëllim që të mbrohen pyjet nga shkatërrimi. Sipas tij, janë marrë masa për bllokimin e rrugëve të cilat shërbejnë për transportin e druve dhe se përveç automjeteve kanë konfiskuar edhe pajisje të tjera siç është motosharra.
“Kemi ngritur dhe kemi dorëzuar fletëparaqitje në gjykatë ndaj atyre personave që kanë shkaktuar dëme në pyjet e Komunës së Vitisë. Ndërkaq, nga gjykata janë shqiptuar gjoba në vlerë mbi 6.000 euro ndaj 20 personave ndërkaq edhe 7 janë në procedurë gjyqësore, ndërsa 20 prej tyre në bazë të vendimeve nga gjykata pas pagesës së gjobës i kanë marrë automjetet e tyre”, ka thënë ai.
Më tej, ai ka thënë se ka një bashkëpunim edhe me institucionet e tjera të shtetit me të cilat po koordinohen që të parandalojnë vazhdimin e shkatërrimit të pyjeve dhe nxjerrjen e autorëve para gjykatës.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)