Arbëri

Shpallet fajtor përgjegjësi i sektorit të pyllit në Viti pasi shiti drunjtë e konfiskuar

Në vitin 2016, qëkurse Kadri Ismajli është emëruar si përgjegjës i sektorit të pyllit, janë vjedhur 3 herë dru nga oborri i autoritetit pyjor.

Ismajli thotë këto raste janë të lajmëruara në polici, megjithatë, këta të fundit nuk e kanë njoftuar asgjë, raporton KTV.

Por, tash së fundmi, Ismajli i kishte shitur dru një personi, pa kurrfarë procedure. Ai thotë se këta dru i kishte shitur për arsye se oborri ku qëndrojnë drutë e konfiskuar nuk ka dyer.

Për këtë, Gjykata e Themelore në Gjilan ka shpallur fajtor Ismajlin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ismajli thotë se nuk ndihet fajtor, përderisa rasti është në Gjykatën e Apelit.

Pavarësisht se është konstatuar se drunjtë e konfiskuar janë shitur në mënyrë të kundërligjshme, Komuna e Vitisë nuk ka shqiptuar asnjë masë ndaj përgjegjësit të sektorit të pyllit, siç është masa e suspendimit nga puna.

Nënkryetari i komunës së Vitisë, Hasan Aliu, tha se do të presin derisa të përfundojë procesi gjyqësor.

“Nuk është vendimi përfundimtar është edhe e drejta e ankesës e cila shtyhen edhe ekzekutimin e vendimit. Ai do të vazhdojë që të punojë dhe në momentin që të kemi aktvendimin e formës së prerë ne do të marrim masat konform ligjit për shërbimin civil”, ka thënë ai.