Arbëri

Të lënduarit nga shpërthimi i bombolës së gazit, ende në gjendje të rëndë

Policia e Kosovës ka thënë se bombola e gazit nga e cila mbetën të lënduar 15 persona në fshatin Kçiq të Mitrovicës së Jugut ishte në bodrumin e shtëpisë, ku po qëndronin anëtarët e familjes Hamza. Në QKUK kanë thënë që 4 nga të lënduarit vazhdojnë të jenë në gjendje më të rëndë, e një nga ta është transferuar për mjekim në Suedi.

Shpërthimi i një bombole të vogël gazi në bodrum nxori nga vendi edhe derën e hyrjes te familja Brahimi në Kçiq të Mitrovicës. Aty të shtunën u lënduan 15 anëtarë të kësaj familjeje.

Agreta Gashi, doktoreshë në Klinikën Intensive të QKUK-së, ka treguar se gjendja e 4 pacientëve që kishin djegie të madhe, vazhdon të jetë e rëndë.

Ajo tha se një e mitur e moshës 10-vjeçare gjatë së dielës është transferuar në Suedi për trajtim, pasi që është edhe shtetase e atij vendi.

“Te këta pacientë, fatkeqësisht për shkak se ka qenë djegie si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit, kanë edhe djegie inhalatore që do të thotë edhe të rrugëve të frymëmarrjes, kanë djegie të fytyrës dhe rrugëve të frymëmarrjes që do të thotë na e vështirëson më tepër situatën. Fatmirësisht, dy prej tyre kanë djegie më të vogël 30 dhe 40% që po ashtu përbën rrezikshmëri dhe një vajzë 10 vjeçare që u transferua në Suedi, ka qenë në një sipërfaqe të madhe rreth 70%”, ka deklaruar Gashi.

Një pjesë e madhe e të lënduarve janë familjarë edhe nga shtetet e Evropës të cilët kishin shkuar për ta vizituar nënën e sëmurë, e që ishte liruar nga spitali.

Afrim Brahimi, i afërm i të lënduarve ka treguar se si ka ndodhur ngjarja.

“Këta të tjerët që janë të lënduar, kanë qenë në bodrum, duke ngrënë darkën dhe kur ka shpërthyer bombola dhe e ka kapluar flaka dhe kanë pasur djegie shumë të mëdha dhe me ndihmën e zotit kanë shpëtuar që janë dalë nga vendi”, ka thënë Brahimi.

Brahimi thotë se me çka i ka treguar e zonja e shtëpisë e cila ishte në vendin e ngjarjes, bombolat e gazit nuk ishin të ndezura.

“Bombola e gazit nuk ka qenë e ndezur, këtë e kanë verifikuar edhe vetë policia, e ka thënë edhe zonja e shtëpisë që ajo ka qenë e mbyllur, nuk kanë qenë duke i përdorur”, ka shtuar ai.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, ka njoftuar se kanë ndarë 20 mijë euro për t’i dalë në ndihmë familjes Brahimi.