Komuna e Prishtinës ka nisur punimet për ndërtimin e një parku afër Qendrës Mjekësore Familjare, në lagjen “Kalabria”. Por këto punime po kundërshtohen nga familja Canolli e Halimi, të cilët pretendojnë se prona ku po zhvillohen punimet janë pronësi e tyre.
Hilmi Canolli, i cili njëherësh është edhe avokati i familjes, thotë se çështja për rikthimin e pronës së tyre është në kontekst gjyqësor që nga viti 2003. Sipas Canollit, në vitin 1960, regjimi i atëhershëm serb ia kishte marrë dhunshëm këtë pronë.
“Siç po e shihni ne e kemi një procedurë kontestimore me Komunën e Prishtinës. Të njëjtit nuk posedojnë asnjë dokumentacion. Ne i kemi dokumentet që e dëshmojnë që kjo pronë është e jona. Familja Canolli asnjëherë nuk është hequr prej posedimit”, tha qytetari Canolli.
Për të filluar punimet e parkut, sipas tij, komuna ka bërë rrënimin e disa pemëve, të cilat kanë qenë pronësi e familjes.
“I kemi kërkuar që të përfundojë procesi gjyqësor e pastaj i përgjigjemi vendimit. Janë mbi 50 fidanë që i kanë rrafshuar. Pra kanë bërë dëme. Kanë ardhur me policë për t’i bërë këto rrënime. Seancë është e caktuar më 6 janar dhe ata nuk po e presin seancën”, tha ai.
Të njëjtin shqetësim e ka edhe Jeton Halimi. Ai thotë se ata kanë mjaftueshëm dëshmi se prona është e tyre.
“Komuna ka marrë vendim arbitrar, pra është regjimi i Përparim Ramës kinse për t’i rikthyer pronat e tyre. Gjykata është duke u marrë me lëndën dhe kemi mjaftueshëm dëshmi se kjo pronë është e jona”, tha Halimi.
Sipas Halimit, komuna ka rrënuar disa objekte të cilat i ka përdorur ata si familjarë.
“Po e shihni se çfarë veprimi ka marrë komuna, ky është rasti i njëjtë me atë të Badocit. Kërkoj nga prokuroria ta ndjekin Përparim Ramën sepse është duke bërë shkelje të mëdha ligjore”, tha Halimi.
KOHA ka dërguar pyetje për këtë çështje në adresën zyrtare të Komunës së Prishtinës. Të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje me arsyetimin se vazhdon të jetë në fuqi vendimi i kabinetit të kryetarit Përparim Rama, për të mos i kthyer përgjigje KTV-së.