038

“Harrojnë” punët e Prishtinës, fokusohen në fushata

Subjektet politike në vend, tashmë kanë bërë publike listat e tyre zgjedhore. Pjesë e kandidaturave për deputetë janë edhe dy nënkryetarët e Prishtinës nga radhët e LDK-së, shumë drejtorë e asamblistë të tjerë të Kuvendit Komunal. 

Asnjëri nga ta ende nuk kanë deklaruar zyrtarisht për lirimin e pozitës që kanë në kryeqytet për të vazhduar me garën zgjedhore në nivel vendi. 

Megjithatë, ata tashmë duket se janë fokusuar totalisht në fushatë duke lënë anash punët e projektet e Prishtinës. 

Rrjetet e tyre sociale janë mbushur me video prezantuese të cilat po përdoren më së shumti për fushatë. Kryesisht po mburren me punët që i kanë bërë deri tash, e të cilat vetë ata po i cilësojnë si punë të mira. 

Nënkryetarja Jehona Lushaku-Sadriu, përveç thirrjes për votimin e LDK-së dhe numrin e saj, ajo Facebookun po e përdorë si promovim për mësimin tërëditor, projekt ky që ka filluar sivjet në disa shkolla të Prishtinës. Por në të nuk po pasqyrohen edhe anët negative. 

Në një postim të saj ka treguar për takimin që ka pasur me prindërit e shkollës “Xhemajl Mustafa”, takim të cilin e ka pasqyruar vetëm me fjalë pozitive. Por në fakt, gjatë këtij takimi, prindërit kanë thënë për KOHËN se kanë pasur shumë ankesa sa i përket mbarëvajtjes së mësimit tërëditor. Edhe nënkryetari tjetër i Prishtinës, Alban Zogaj, është pjesë e listës së deputetëve nga radhët e LDK-së. 
Edhe Zogaj këto ditë është shumë aktiv me promovimin e punëve që po zhvillohen në Prishtinë. 
Në anën tjetër, është drejtori i Investimeve Kapitale, Krenar Xhaferi, i cili po synon postin e deputetit të Kosovës. Xhaferi më parë për KOHËN ka deklaruar se në fund të këtij viti do të heqë dorë nga posti i drejtorit për t’u koncentruar në fushatën e zgjedhjeve nacionale.

Megjithatë, ai po i shfrytëzon rrjetet sociale për të promovuar veten duke bërë edhe vizita të shumta.
Drejtoresha e Pronës, Doruntinë Maloku, tashmë ka filluar fuqishëm fushatën elektorale, duke ndërruar foton e profilit dhe vendosur numrin me të cilën ajo kandidon për deputete. 

Përderisa banerët reklamues të drejtoreshës së Pronës kanë zënë hapësirë në parkingun nëntokësor. Parkingu është ndërtuar nga një operator privat në tokën e komunës e cila iu lejua në shfrytëzim për 99 vjet. 

Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku, përveç që po e shfrytëzon postin e tij të drejtorit të Shëndetësisë për fushatë elektorale, ai po akuzohet se për fushatë po shfrytëzon edhe hapësirat publike. Në listën e kandidatëve për deputetë është edhe drejtoresha e Bujqësisë, Donjeta Dragusha dhe Florian Dushi.