Më 4 shtator, kryetari Përparim Rama kishte prezantuar 5 punime arkitekturore me pamjen e shtatores së heroit kombëtar Adem Jashari.
Në fillim lokacion i vendosjes ishte sheshi “Adem Jashari”, pastaj u ndërrua lokacioni u vendos të ishte hapësira në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit.
Por as këtu ende nuk është vendosur dhe ende nuk dihet data se kur do të vendoset. Përzgjedhja e projektit u ishte besuar qytetarëve, me votat e tyre. Por që tani ato vota janë avulluar.
Gjatë të martës Rama ishte në fshatin Lebanë. I pyetur për këtë projekt ai e ngatërroi atë me projektin e sheshit “Xhorxh Bush”.
“Sot jemi në Lebanë ejani diku tjetër flasim për projektin. Për cilat vota e keni fjalën. Tani ju e ngatërruat me sheshin “Xhorxh Bush”, edhe ti e dinë që projekti është duke vazhduar”, tha Rama.
Iniciuese e këtij projekti ishte PDK-ja atëherë në qeverisje së bashku me LDK-në.
Këshilltari i PDK-së, Leutrim Retkoceri, thotë që Rama e ka ngatërruar projektin pasi e ka harruar edhe premtimin e tij.
“Kryetarit edhe ka mundur që t’i ngatërrohet projekti pasi është kryetari me performancën më të dobët të realizimit të premtimeve të tij. Të gjitha dokumentet kanë qenë gati si ndarja e lokacionit, ka qenë gati edhe kodi buxhetor ajo çfarë është dashur sinqeritet dhe vullnet për ta shtyrë përpara këtë projekt. Ne nuk jemi duke pa hapa serioz”, tha Retkoceri.
Ai tutje thotë se të gjitha procedurat e vendosjes ishin gati, e fajtor, sipas tij, është neglizhenca e komunës.
“Nuk është e zgjidhur çështja me qentë endacak në kryeqytet, gjendje të mirë nuk kemi as me mbeturinat. E mos të flasim për projekte të mëdha siç është përfundimi i unazës së qytetit, e aq më pak mënjanimi i kolonave dhe trafikut të dendur në Prishtinë”, tha Retkoceri.
28 nëntori 2023 ishte paraparë si afati i përurimit të kësaj kërkese të kamotshme të qytetarëve.
E ditëlindja e 68-të e komandantit legjendar pritej gjithashtu ta gjejë shtatoren e tij në kryeqytet.
Në vitin 2022 tifo-grupi “Plisat” kishte iniciuar një peticion për vendosjen e kësaj shtatore.