038

Ankesa për rritje të çmimit të ngrohjes

Shtimi i kategorisë për konsum të përbashkët në faturat e Termokosit, ka nxitur reagime të shumta të qytetarëve, të cilët janë ankuar për dyfishim të çmimit të ngrohjes.

Gafurr Hasani, banor i lagjes Ulpiana thotë se këtë muaj fatura i ka ardhur 10 euro më shtrenjtë për shkak të radiatorëve vertikalë që i ka në korridor e në tualet, e të cilët po konsiderohen se janë të përbashkët me banorët e tjerë të ndërtesës ku ai jeton.

Megjithatë, Hasani shton se këta radiatorë janë brenda metrave katrorë të banesës së tij, përmes së cilës përllogaritje po vazhdon të paguajë faturat e “Termokos-it”.

“Unë nuk po e kuptoj edhe ngrohjen që është e përbashkët, nuk po e kuptoj absolutisht, në korridor? Po ky korridor është me metër katror. Kjo nxehet me qita radiator jo me shtyllat vertikale, plus dy shtyllat vertikale i vërejtjet edhe vetë nuk punojnë e kam bo ankesën, nuk ka ardhur askush, edhe për ato. E patë edhe ju faturën, duhet ta paguaj edhe për ato, edhe pse s'punojnë, edhe pse e kam bo ankesën. Dua të shkyçëm krejt edhe po ngrohem me rrymë, përndryshe nuk mundem me përballu gjashtëdhjetë euro në muaj ta paguaj”, tha Hasani. 

Vendosjen e pajisjeve matëse “HeatSave” në radiatorët e banesave ishte mirëpritur me shpresën për një përllogaritje më të drejtë të shpenzimeve. Megjithatë, ai thotë se ato nuk po funksionojnë.

“Jo vetëm unë, po gjithë hyrja. I kam pyet me rend të gjithë sa po paguajnë, se thashë mos ka ndonjë farë ndryshim vetëm te unë, të gjithë kanë thënë se po paguajnë shumë më shtrenjtë sesa vitin e kaluar. E para është se jo që e kam kursyer ndoshta për shkakun se nuk mundem me ndenjur ndër jorgan, por shkaku ka qenë se edhe koha ka qenë e nxehtë, kështu që dy radiatorë skajshëm, asnjëri s'ka qenë i lëshuar. Ka qenë vetëm ky, plus paguaj dhjetë euro më shumë sesa vitin e kaluar, me metër katror. Kam bo ankesë para një muaj e gjysmë më kanë thënë se mbas 10 dite do të vijnë të i kontrollojnë, janë bërë një muaj e gjysmë e s’kanë ardhur. Kam shkuar e kam paguar përsëri, përsëri kam bo ankesë me shkrim e patë edhe ju, përsëri nuk kanë ardhur”, tha ai. 

Zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka-Fejzullahu, ka thënë se ata nuk mund të bëjnë asgjë lidhur me ankesat e qytetarëve për shtrenjtim të faturave të ngrohjes, pasi thekson se Zyra e Rregullatorit për Energji përcakton tarifat e ngrohjes.

“ZRRE-ja është autoriteti i vetëm në Kosovë, i cili përcakton tarifat e ngrohjes dhe metodologjinë e faturimit, pra gjithçka që vjen nga ZRRE-ja neve na mbetet vetëm ta implementojmë, në bazë të kostos që bëhet për prodhimin e energjisë termike, ne i dërgojmë raportet te ZRRE-ja dhe ata i kalkulojnë dhe bëjnë ndarjen sipas metodologjisë së tyre”, tha Uka-Fejzullahu. 

E sa u përket ankesave për vazhdimin e faturimit me metër katror dhe jo përmes matësve, Uka thotë se banorët po ndërhyjnë në pajisjet e tyre.

“Ka raste kur është ndërhyrë në pajisjet tona. Zakonisht në ndërtesat e vjetra sistemi vertikal i ngrohjes, te këta konsumatorë matësit janë vendosur direkt në radiatorët e tyre. Ndërsa në objektet e reja matësit janë të vendosura nëpër koridore të jashtme. Alikatorët nuk janë lehtë të menaxhueshme edhe për vet banorët për shkak të lëvizjes së mobileve dhe për shkak të ndërhyrjes së qëllimshme, të paautorizuara dhe në këtë mënyrë shfaqet “error” në systemin e faturimit dhe në momentin që shfaqen këto vështirësi për leximin e tyre, ne automatikisht i rikthehemi faturimit me metodën e vjetër”, tha ajo. 

E për caktimin e çmimeve, KOHA ka kërkuar sqarime edhe nga ZRRE-ja, mirëpo, nga ky institucion nuk ka kthyer përgjigje askush. 

Sipas vendimit të ZRRE-së, çmimi për konsumatorët shtëpiakë do të jetë 0.76 centë për kilovatë orë, ndërsa për konsumatorët komercialë do të jetë 0.95 centë për kilovatë orë.

Aktualisht, rreth 30 mijë qytetarë janë të kyçur për ngrohje me “Termokos”. Ndërkaq, rreth 17 mijë e 500 konsumatorë janë të pajisur me pajisjen matëse ‘HeatSave’.