Arbëri

AGK reagon kundër frikësimit të familjes së gazetares Saranda Ramaj

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dënon ashpër frikësimin e shkaktuar ndaj familjes së gazetares Saranda Ramaj nga një zyrtar publik.

AGK është njoftuar nga anëtarja jonë, Saranda Ramaj se një person ka shkaktuar frikësim ndaj anëtarëve të familjes së saj gjatë kohës kur gazetarja Ramaj nuk ishte në shtëpi, përcjell reagimin e AGK –së Koha.net .

“Ejup Simnica, auditor në Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm edhe pse person i panjohur për familjen time, ai ka shkuar në shtëpinë time në Radavc të Pejës dhe prindërve të mi u ka lënë një vizitë kartë duke u thënë që të mos vazhdoj më të raportoj për të” tregon Ramaj ndër të tjera.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar tendencën e auditorit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Ejup Simnica që ta frikësojnë familjen e gazetares se “Koha Ditore”, Saranda Ramaj.

Ani pse Ramaj jeton në Prishtinë, Simica ka shkuar tek familja e saj në Radavc të Pejës nga e cila ka kërkuar që Ramaj të mos publikojë me tekste.

Ramaj është autore e disa hulumtimeve për bashkëshorten e Simnicës e cila është zyrtare publike. Si pasojë e teksteve, ajo është dënuar me vendim të formës se prerë nga gjykata.

Po ashtu ajo ka raportuar për tendencën e fshehjes se shkeljeve të Prokurorisë se Shtetit të evidentuara nga ZKA autor i se cilit është auditori, Ejup Simnica

Saranda Ramaj ka njoftuar AGK-në se rasti tashmë është raportuar në Policinë e Kosovës.

Ky lloj frikësimi sipas AGK-së, përpos se është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e gazetarëve, po ashtu është kërcënim i kamufluar.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njëkohësisht fton Policinë e Kosovës dhe organet e drejtësisë që të hetojnë dhe gjykojnë rastin sipas ligjeve në Kosovë dhe duke u bazuar në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.