Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet lokale

Mustafa: Haliti rizgjidhet kryetar i Vitisë sepse dha model të qeverisjes së mirë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të mërkurën në Viti se Sokol Haliti do të rizgjidhet kryetar i komunës, sepse ka dhënë shembullin më të mirë se si qeveriset në komunë me transparencë, me vizion dhe me përgjegjësi, transmeton Koha.net.

“Qytetarët e Vitisë do ta rizgjedhin Sokol Halitin sepse këto 4 vjet, kjo komunë është qeverisur shumë mirë. Njerëzit e mirë duhet të qeverisin komunat e Kosovës. Njerëzit tanë kanë qeverisur mirë. Kemi arsye të kërkojmë në Viti vazhdimin e mandatit për Sokol Halitin”, ka thënë Mustafa.

Ai tha se vetëm ne jemi dëshmuar se qeverisim pa u korruptuar, pa skandale, pa afera, që i japim përparësi zhvillimit ekonomik dhe që e drejtojmë Kosovën kah integrimet euro-atlantike dhe që mbajmë miqësinë, siç thoshte Presidenti Rugova, të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njofton kumtesa partiake.

Kandidati për kryetar të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti është shprehur i bindur në fitoren e tij dhe listës së kandidatëve të LDK për Kuvendin Komunal të Vitisë.

Ai potencoi se gjatë katër viteve të kaluara, komuna e Vitisë ka arritur të përmbushë të gjitha premtimet ndaj qytetarëve, madje i ka tejkaluar ato.

“Ne kemi bilanc të shkëlqyeshëm të punës në këto katër vite të qeverisjes. Komuna e Vitisë është vlerësuar nga organizata ndërkombëtare, si komuna që ka përmbushur të gjitha premtimet. Ne jemi bazuar në realizimin e programit tonë qeverisës. Kemi premtuar 14 milionë euro investime, kemi realizuar 19 milionë euro, apo 5 milionë euro më shumë”, ka thënë Haliti, sipas të cilit, qeverisja e tij ka arritur t’u bëjë ballë të gjitha sfidave të trashëguara nga qeverisjet e kaluara në këtë komunë.

Edhe “LDK shumë shpejt do ta qeverisë krejt Kosovën”, thotë Mustafa në Viti Zgjedhjet lokale “LDK shumë shpejt do ta qeverisë krejt Kosovën”, thotë Mustafa në Viti

“Komuna e Vitisë, është e vetmja komunë e Kosovës dhe në mesin e 3 komunave të Evropës Juglindore që ka arritur partneritet me Bashkimin Evropian për strategjinë lokale 2020-2030”, ka thënë Haliti, sipas të cilit, ai tashmë ka ndërtuar në detaje strategjinë zhvillimore për 4 vitet e ardhshme.

“Strategjia jonë zhvillimore për katër vitet e ardhshme parasheh 24 milionë euro buxhet, të cilin jam i bindur se do ta tejkalojmë. Jam i bindur se do ta zbatojmë me saktësi këtë strategji zhvillimore në katër vitet e ardhshme”, ka thënë Haliti, i cili ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve të komunës së Vitisë që ta mbështesin ekipin e tij dhe të LDK-së, në mënyrë që më 22 tetor të kryhen zgjedhjet dhe të mos ketë nevojë për balotazh.