Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka premtuar se në rast se vjen në krye të kryeqytetit atëherë 50% e drejtorive komunale do të drejtohen nga gratë.
Ai është takura sot në Parkun e Qytetit me një grup vajzash dhe grash për të diskutuar për sfidat dhe problemet.
Ismaili tha se barazia gjinore ka qenë gjithmonë prioritet i tij dhe se këtë e ka dëshmuar edhe në të kaluarën gjatë kohës së bashkëqeverisjes në Prishtinë, kur nga gjashtë drejtorë, tre kanë qenë gra dhe tre burra. Ai kujtoi gjithashtu se gjatë mandatit të tij si Ministër i Shëndetësisë, 60% e kabinetit të tij kanë qenë gra.
“Edhe qeverisja ime në Komunën e Prishtinës do të përbëhet nga 50% gra dhe 50% burra. Kjo nuk duhet të shihet si përjashtim, por si normë. Askush më mirë se gratë nuk mund t’i njohë nevojat e tyre dhe askush më mirë se ato nuk mund të ofrojë zgjidhjet,” tha Ismaili.
Ai shtoi se gratë jo vetëm që mund të udhëheqin, por edhe do të udhëheqin në qeverisjen e tij.
“Prishtina do të bëhet qytet kampion i barazisë gjinore,” u shpreh ai.
Përveç përfaqësimit të barabartë, Ismaili paralajmëroi se çdo politikë që do të ndërmerret nga komuna do të shoqërohet me buxhetim gjinor, në mënyrë që gratë të jenë të përfshira drejtpërdrejt dhe të kenë mbështetjen financiare që u nevojitet dhe e meritojnë.
Zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen më 12 tetor.
