“Uji sot në Ferizaj është lluks, sepse nuk e kanë”, ka thënë kandidati i LDK-së për kryetar të Ferizajt, Visar Azemi.
Derisa ka shpalosur programin e tij në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Ferizaj”, Azemi ka thënë se premtimi i tij i parë me të cilin po garon në këto zgjedhje është pikërisht zgjidhja e problemit me ujë të pijshëm.
Azemi ka prezantuar edhe një plan përmes së cilit synon ta zgjidhë këtë çështje.
“E para që është një opsion afat shkurtër, në dy vitet e para do të bëjmë shpimin e puseve të thella që do t’i bëjmë me rezervar, me filtra dhe me preparatet të cilat do ta shndërrojnë ujin në një ujë të pijshëm. Ne kemi paraparë që në secilin fshat të hapet një pus... që do të kushtoj rreth 4 milionë euro. Paralelisht me këtë do të punojë në ujëmbledhësin e Pleshinës dhe Jezercit, do të bëjmë një digë”, ka thënë Azemi.
Ai ka shtuar se do të punoj në zgjidhjen e këtij problemi pasi edhe në bazë të testeve të bëra nga Instituti i Shëndetit Publik, uji në Ferizaj nuk është i pijshëm.
Ai ka premtuar se nuk do të fillojë projekte të mëdha që do të duken bukur, derisa qytetarët nuk kanë ujë të pijshëm.
