Premtimet për ujë të pijshëm, rrjet të kanalizimit e qytet të pastër, sipas kandidatit të Nismës Socialdemokrate për kryetar të Obiliqit, Shefki Salihu, nuk do të duhej të ishin temë e debateve.
Salihu në emisionin “Zgjedhjet në Kohë - debati për Obiliqin”, ka thënë se për këto punë edhe paguhet kryetari.
“Ujësjellësi, kanalizimi, mbeturinat..., këto askush nuk duhet as t'i premtojë. Këto nuk mund të quhen as projekte. Këto janë gjëra në mandat të punës së kryetarit. Fatkeqësisht, kemi ende probleme me ujë, me kanalizim”, ka thënë ai.
Sipas tij, edhe punët që bëhen, nuk janë të nivelit të duhur.
“Nuk kemi një infrastrukturë të qëndrueshme, në mënyrë që aty ku punohet për 20 apo 25 vite të mos kthehesh prapa. Në rrugën kryesore "Hasan Prishtina" para katër vjetësh është hapur një kanal për kogjenerimin, për gypat, pastaj është mbyllur dhe është arnuar. Vitin tjetër është hapur prapë një kanal afër dhe është zgjeruar trotuari. Është hapur për kanalizim kësaj here. Tash këtë vit, prapë është hapur një kanal dhe është ngushtuar ai trotuar dhe është hapur në anën tjetër”, ka thënë Salihu.
Ai ka thënë se duhet përgjegjësi e guxim, meqë sipas tij, komuna e Obiliqit ka buxhet të madh.
Edhe ai ka kritikuar qeverisjen e deritashme se investimet kryesore i ka koncentruar në qytet.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.
