Zgjedhjet lokale

Rashiq u drejtohet serbëve të Kosovës: Mos votoni Listën Serbe për 50 euro

Nenad Rashiq

Nënkryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rashiq, u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që kanë dokumente të Kosovës e nuk jetojnë këtu, që të mos i shesin votat.  

Ai u ka bërë thirrje që të mos ia japin votën Listës Serbe. 

"Nëse mund ta them një porosi për bashkëqytetarët tanë, ata që për arsye të ndryshme nuk jetojnë më në Kosovë, por i kanë dokumentet e Kosovës u lutem, do të jem pak më i rreptë, por po them 'mos ia shitni shpirtin shejtanit për 50 euro'. Ato 50 euro që ju i merrni do thotë katër vite të vështira për ne. Për atë arsye nëse vini të votoni Listën Serbe për 50 euro mos ejani fare. Përndryshe çdo ditë tjetër jeni të mirëseardhur të jeni miqtë e tanë dhe familjarët e të afërmit tanë. Gjithashtu ju presim me padurim të gjithë ata që doni të ktheheni në Kosovë, por iu lus mos ia shkatërroni jetën atyre që kanë dëshirë të jetojnë këtu dhe jetojnë këtu për arsye tjetër", tha Rashiq.

Rashiq ka mbajtur konferencë për media ku ka adresuar publikimin e audio-incizimit mes tij dhe Nenad Stanojeviq, ku pretendohet ndarja në mënyrë të parregullt mbi baza të votave dhe lidhjeve personale për ndarjen e shtëpive dhe projektet e OJQ-ve.

Rashiq ka shtuar se para se këto incizime të publikoheshin bashkëpunëtorët e tij janë kërcënuar nga një person i cili ka telefonuar me numër nga Serbia, duke i ftuar ata që të shkojnë në Beograd për bashkëpunim.

"Diku para dy muajve, saktësisht me 24 korrik të këtij viti një person nga Serbia i ka thirrur tre bashkëpunëtorët e mi të afërt. Ky person është paraqitur si punëtori i agjencionit informativ në Serbi. Ai u ka thënë atyre që për të mirën e tyre të vijnë në Beograd brenda dy ditëve, atë ditë ishte e enjte dhe takimi i Kuvendit ishte caktuar për të shtunën. Zëri me të cilin është drejtuar ishte kërcënues dhe urdhërues. Sigurish që asnjëri nga bashkëpunëtorët e mi nuk i është përgjigjur kësaj thirrje dhe pas kësaj rreth javës së parë të fillimit të gushtit, ky numër i njëjtë i ka dërguar bashkëpunëtorëve të mi një porosi duke u thënë 'nuk keni dashur të bashkëpunoni tash do i shfaqim në publik disa gjëra rreth jush'. Kosova është e vogël të gjithë e kemi nga një mik të përbashkët, disa portale i kanë marrë disa nga këto incizime. Nuk e kam marrë këtë punë seriozisht ,por kam dëgjuar se nga gjysma e muajit gusht disa nga redaksitë i kanë marrë këto incizime. I kam lajmëruar menjëherë organet përgjegjëse për këtë gjë, nuk e kemi marrë seriozisht sepse nuk ka ndodhur asgjë. Mirëpo këto dhjetë ditë e fundit një portal i ka publikuar të ashtuquajturat incizime, absolutisht nuk janë të vërteta janë të montuara dhe është gënjeshtër", ka thënë ai.