Mbi 33 mijë zarfe me fletëvotime nga diaspora ende nuk janë sjellë në Kosovë, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Elezi ka theksuar se këto zarfe do të jenë në Kosovë brenda ditësh.
“Jo janë në proces dhe besoj që brenda këtyre ditëve. Këto dërgesa janë tërhequr nga kutitë postare nga të gjitha shtetet, me përjashtim në SHBA. Të gjitha janë tërhequr dhe përmes postës do të kthehen në vendin tonë për t’iu nënshtruar numërimit”.
Numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës ka qenë 43,933. Elezi ka shpjeguar se KQZ-ja ua ka dërguar pakot me fletëvotime në adresën që shtetasit e kanë lajmëruar në regjistrim, e se nëpër shtete të ndryshme gjithsej janë funksionalizuar 22 kuti postare.
“Ka qenë një ndërmarrje e vështirë për KQZ-në sepse numri i shtetasve që janë regjistruar për të votuar përmes postës ka qenë 43,933. KQZ i ka dhënë detyrë vetes që këtyre votuesve t’ua dërgojë pakon me fletëvotim në adresën që e kanë lajmëruar gjatë adresimit dhe sipas informacioneve, me qëllim të mundësimit të votimit jashtë Kosovës KQZ ka funksionalizuar 22 kuti postare në shtete të ndryshme”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta”.
Elezi ka theksuar se vetëm pas verifikimit do të dihet saktë se sa nga mbi 33 mijë zarfet përmbajnë fletëvotime të vlefshme.
“Nga informacionet, numri i zarfeve të supozuara me fletëvotime që janë tërhequr është më shumë se 33 mijë. Këto do të sillen në Kosovë, do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit, verifikimi do të na mundësojë të dimë nëse brenda atyre pakove ka fletëvotime. Verifikohen edhe nëse janë dërguar nga votuesit e regjistruar. Pas këtyre verifikimeve ne do ta dimë saktë se sa nga këto më shumë se 33 mijë zarfe përmbajnë fletëvotime që pastaj i nënshtrohen procesit të numërimit”, u shpreh ai.
Elezi ka thënë tutje se në qendra komunale janë 520 ekipe të numërimit me mbi 2000 anëtarë në dy orare.
Ai ka treguar edhe për datën e shpalljes së rezultateve përfundimtare.
“Shpallja e rezultateve përfundimtare është më shumë e lidhur me proceset që duhet të kryhen nga ana e KQZ-së. Në kohën kur do të përfundojë këto aktivitete në qendra komunale, procesi zgjedhor do të zhvendoset në një hapësirë tjetër që është Qendra e Numërimit dhe Rezultateve. Në këtë qendër bëhet numërimi i fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta. Janë 3,467 persona nga kjo kategori. Në këtë qendër bëhet edhe numërimi i votave nga votimi jashtë Kosovës dhe numërimi nga 54 vendvotimet me kusht. Pasi përfundojnë këto procedura, fillon numërimi i këtyre. Vetëm pas këtyre proceseve KQZ-ja mund t’i shpallë rezultatet”, përfundoi ai.