Zgjedhjet lokale

Cana kritikon qeverisjen në Rahovec. Ismaili premton barazi gjinore në kabinetin e Prishtinës

Edon Cana

Në Rahovec, kandidati i PDK-së për kryetar komune, Edon Cana, e ka kritikuar qeverisjen aktuale lokale për mungesë vizioni dhe për kryerjen e punëve “pal e val”. E pretendenti për të udhëhequr me Prishtinën, Uran Ismaili, është zotuar se nën qeverisjen e tij kryeqyteti do ta ketë një kabinet qeverisë,s në të cilin gratë dhe burrat do të kenë përfaqësim të barabartë

Me përurim punësh dhe me nisje projektesh të reja e kanë vazhduar fushatën elektorale kandidatët e Partisë Demokratike (PDK) që synojnë vazhdimin e mandateve në komunat që i udhëheqin. E, në të tjera janë dhënë premtime për të bërë ndryshime.

Në Prizren, kryetari aktual Shaqir Totaj, i cili garon për mandat të dytë në krye të komunës, ka njoftuar për fillimin e punimeve në shtegun drejt Kalasë së qytetit. Ai ka thënë se përgjatë katër kilometrave do të mbillen drunj, do të vendosen ndriçim i ri publik, shporta dhe ulëse për vizitorët.

“Filluan punimet për transformimin e shtegut të pasmë të këmbësorëve drejt Kalasë së Prizrenit (4km), ku do të mbillen drunj e do të vendosen ndriçim i ri publik, shportat dhe ulëset për vizitorët – infrastrukturë e kushte moderne për vizitorët e shumtë të këtij shtegu, që janë vendës e turistë”, ka thënë Totaj.

Ai ka premtuar edhe investime në kulturë dhe sport gjatë mandatit që po e përfundon.

“Një nga prioritetet ka qenë jeta kulturore dhe sportive. E kemi rritur dukshëm për jetën kulturor, për festivalet, si dhe për klubet sportive. E kemi rinovuar Qendrën Sportive ‘Sezai Surroi’, e kemi rinovuar teatrin ‘Bekim Fehmiu’ dhe e gjitha nuk do mund të bëhej pa përkrahjen e shoqërisë civile dhe organizatave, të cilat i falënderoj për përkushtimin dhe punën që e kanë bërë”, ka theksuar Totaj.

Në Fushë-Kosovë, kandidati për kryetar, Rrahim Tërnava, ka prezantuar projektin për hapësirën multifunksionale te Stacioni i Trenit, të cilin ka thënë se do ta kombinojë me gjelbërim.

“Hapësira është e pasuruar me drunj dekorativë, shkurre dhe lule, të cilat krijojnë një ambient natyror dhe relaksues. Janë përdorur pemë me hije të dendur për të siguruar freski gjatë verës dhe për ta bërë hapësirën më të shfrytëzueshme gjatë gjithë vitit. Një dizajn i kujdesshëm i shëtitoreve dhe ndriçimit publik siguron funksionalitet edhe në orët e mbrëmjes. Në të dy anët e sheshit janë të vendosura lokale afariste moderne, me hapësira për kafene, restorante apo shërbime të tjera. Fasadat e tyre janë të dizajnuara me një stil bashkëkohor minimal, duke ruajtur harmoni me gjelbërimin përreth. Para lokaleve është menduar një hapësirë e bollshme për tavolina në ambient të hapur, duke krijuar një atmosferë sociale dhe atraktive. Në mes ndodhet një shesh pedonal me kalldrëm modern, i rrethuar me pemë dekorative dhe ndriçim urban elegant. Hapësira është e përshtatshme për ecje, pushim, aktivitete kulturore apo evente komunitare. Elementi i mureve dekorative me motive tradicionale dhe ngjyra të gjalla jep një identitet të veçantë vizual, duke kombinuar artin dhe arkitekturën”, ka thënë Tërnava.

E Riad Rashiti, kandidati i PDK-së për kryetar të Gjilanit, është zotuar se do të ndajë 420 mijë euro për projektet e OVL-UÇK-së gjatë katër vjetëve të ardhshëm.

“Me përkushtim të plotë ndaj historisë sonë të lavdishme dhe respekt të thellë për sakrificën e dëshmorëve të kombit, kemi paraparë ndarjen e 420 mijë eurove për projektet e OVL-UÇK-së gjatë katër vjetëve të ardhshëm. Vetëm për vitin 2026, buxheti i dedikuar do të jetë 180 mijë euro, i cili do të investohet në: Finalizimin e projektit të Varrezave të Dëshmorëve; Mirëmbajtjen e shtatoreve dhe përmendoreve të dëshmorëve të kombit; Shpronësimin e tokave ku ndodhen përmendoret e dëshmorëve; Krijimin e një zyre të OVL-UÇK-së në kuadër të kabinetit të kryetarit të Komunës”, ka thënë ai.

Në Prishtinë, Uran Ismaili, i cili kandidon për herë të dytë për kryetar, ka premtuar barazi gjinore në kabinetin komunal.

“Në qeverisjen tonë gratë dhe burrat do të jenë të përfaqësuar 50% me 50%. Të paktën, minimumin duhet ta vendosim që në qeverisje me qenë 50-50, është shumë me rëndësi ta çojmë sinjal për të gjitha qeverisjet dhe të gjithë shoqërinë 50-50 duhet të jetë normë. Përpos departamenteve që do të jenë 50-50, edhe buxhetimi do të jetë gjinor”, ka deklaruar Ismaili.

Në Rahovec, kandidati për kryetar, Edon Cana, ka kritikuar qeverisjen aktuale komunale. 

“Pa vizion, i themi ne ‘pal e val’ – shkel e shko. Një njeri që është ‘shkel e shko’ – ‘pal e val’ për një punë, për krejt punët është njëjtë... Unë çuditem që ne në 2025-n bisedojmë për ujë, kanalizim, rrugë, të gjitha këto. Nga një komunë që ka mbi njëzet milionë euro borxhe, edhe 20 milionë euro të tjera i ka kontraktuar në 6 muajt e fundit për asfalt edhe çuditërisht vetëm me një kompani, edhe rastësisht – e Deçanit”, ka thënë Cana.

E Arta Vokshi-Nallbani, e cila është kandidate e PDK-së për kryetare të Pejës, fushatën e së mërkurës e ka fokusuar në bujqësi.

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet

Dita e 12-të e fushatës