Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet lajme

Vetëvendosje synon që të rimëkëmbë minierën e Artanës

Në ditën e dytë të fushatës, pas tubimit në Pejë, Lëvizja Vetëvendosje mbajti tubim në komunën e Artanës.

Para qytetarëve të Artanës kandidatët për deputetë dhe kryetari Visar Ymeri prezantuan projektin e Vetëvendosjes që funksionalizon shtetin e Kosovës dhe ftuan ata që të mbështesin ndryshimin më 11 qershor, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kandidati për deputet nga kjo komunë, Emin Gerbeshi, u shpreh i bindur se qytetarët e Kosovës janë të vendosur për ndryshimin. Ai tha se me qeverisjen e Vetëvendosjes do të rriten kapacitetet prodhuese dhe zhvilluese dhe do të përfitojnë të gjitha shtresat e popullatës, transmeton Koha.net.

“Me Vetëvendosjen do të rimëkëmbet miniera e Artanës. Do të investojmë në repartet e fabrikave të cilat tani janë shndërruar në gërmadha, pra ne do t’i shndërrojmë në fabrika prodhuese dhe aty do të punësojmë brezin e ri”, tha Gërbeshi, duke potencuar po ashtu se komuna e Artanës është më e prekura nga procesi i decentralizimit etnik.

Kandidati tjetër për deputet, Shemsi Syla, tha se Vetëvendosja premton trajtimin adekuat dhe me dinjitet për dëshmorët dhe veteranët e UÇK-së, thuhet më tutje në komunikatë.

“U deshën të rinj dhe të reja që i takojnë një organizimi që quhet Vetëvendosje që të ngjallën shpresat për rimëkëmbje të asaj ndjenjës të artë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Syla, duke kujtuar çlirimin e Kosovës dhe degradimet e qeverisjeve të pasluftës.

Kurse, kandidatja tjetër për deputete, Albana Gashi, tha se qytetarët e kanë humbur shpresën dhe kjo nuk ndodhi as rastësisht, as aksidentalisht. Ajo theksoi se humbja e shpresës popullore është pasojë e keqqeverisjes të gjatë me nga dy partitë, PDK e LDK.

“PDK e LDK janë bashkëpjesëmarrës edhe në shkatërrimin e shëndetësisë, rrënimin e arsimit e kapjen e drejtësisë. Ata janë të njëjtë. Ata kanë qeverisur bashkë dhe janë sot të ndarë vetëm e vetëm për shkak të përfitimeve klanore. Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja kundërshti reale e tyre. Ne jemi për investime në shëndetësi, riformulimin e arsimit, dhe reformimin e drejtësisë”, tha ndër të tjera në fjalën e saj, Albama Gashi.

Ndërkaq, anëtarja e Kryesisë, e po ashtu kandidate për deputete, Nazlie Bala, prezantoi disa nga 40 prioritet e VV-së, që sipas saj kjo parti ka mbetur e vetmja alternativë për qytetarin e varfër të Kosovës, të cilit ky pushtet ia ka mbytur edhe shpresën.

“Ne synojmë që përmes programit 40 pikësh, t'i ofrojmë secilit qytetar vendbanim të përhershëm, duke i ndërtuar 4000 banesa. Do i ofrojmë secilit student shkollim falas, shujtë ushqimi për secilin nxënës në krejt Kosovën, dhe stimulim financiar nga dhjetë euro në muaj për secilin fëmijë nën moshën 15 vjeç”, tha Bala.

Më tutje thuhet se pas saj, fjalën e mori nënkryetari i Prishtinës, nënkryetari i Vetëvendosjes dhe kandidati për deputet, Dardan Sejdiu, i cili kujtoi fitoren në Prishtinë për gjithë ata që ishin skeptikë në zgjedhjet e vitit 2013. Ai kritikoi kapjen e shtetit dhe domosdoshmërinë e çkapjes së tij, e po ashtu theksoi se puna në Prishtinë është modeli që mund të aplikohet në të gjithë Republikën, pasi që në kryeqytet krimi u ndal, dosjet u dorëzuan në prokurori, fëmijëve u jepet ushqim, shëndetësia u transformua komplet e ndërmarrjet publike u rimëkëmbën.

“Vetëvendosje me datën 11 qershor i ofron popullit të Kosovës një alternativë, e cila sigurohet që i papuni punësohet, punëtori mbrohet, qytetari është i barabartë dhe pushtetari në shërbim”, tha para qytetarëve të Artanës, Dardan Sejdiu.

E në fjalën përmbyllëse, kryetari i VV-së, Visar Ymeri tha se pushteti ka synuar që ta lodhë qytetarin nga papunësia, e jo nga puna, si dhe përmblodhi 40 masat ndërhyrëse e kujtoi fitoret e opozitës përkundër skepticizmit të kohës.

“Shumëkush e njeh, por shumë na pyesin në rrugë, në shesh, e gjithandej për programin tonë dhe prioritetet tona për Republikën sepse shohin prej kohësh tashmë te Vetëvendsja të vetmen shpresë dhe të vetmen garancë që kjo Republikë edhe do të ekzistojë, edhe do të zhvillohet, edhe do të jetë Republikë që do ta mbajë popullin brenda dhe jo ta përjashtojë jashtë siç bëjnë ata. Kam ardhur sot këtu bashkë me kandidatët e tjerë për deputetë t’ua themi se te ju, te qytetarët e kësaj Republike, ne shohim të vetmen shpresë. Këta të tjerët i ka kapluar paniku dhe frika. E kanë futur njëri-tjetrin në sqetull: Kadri Veseli AAK-në dhe Nismën, Avdullah Hoti AKR-në e të tjerët. Vetëvendosje nuk është subjekt që frikësohet dhe as subjekt që bashkohet nga paniku, sepse Vetëvendosje gjithnjë ka qenë e bashkuar me qytetarët e popullin dhe ashtu do të vazhdojmë gjithnjë. Asnjëherë, në asnjë organizim, ne nuk jemi ndarë prej jush, dhe as ju pre nesh, por me 11 qershor angazhimin dhe devotshmërinë ndaj Republikës e shprehim me votë”, tha Ymeri.

“Ymeri e mbylli këtë tubim duke bërë thirrje për të votuar numrin 35, ku qëndron e vetmja vijë e kuqe. Ai tha se deri më 11 qershor duhet të punojmë shumë, që me 12 qershor të festojmë, dhe me 13 qershor t’i rikthehemi punëve për ta ndërtuar Republikën”, thuhet në komunikatë.