Zgjedhjet lajme

Kurti nuk beson se LDK-ja do të hyjë në koalicion me PAN-in

Albin Kurti, i nominuari i Vetëvendosjes për kryeministër thotë se nuk beson që LDK-ja do të hyjë në koalicion me PAN-in për të krijuar qeverinë e ardhshme.

Ai thotë se opsionet e vetme që i kanë mbetur vendit janë bashkimi i VV-së me LDK-në, ose zgjedhjet e reja.

“E vetmja mundësi që PDK të jetë në pushtet është që LDK të shkojë me PDK-në dhe unë nuk besoj që do të ndodh. Është vetëm një mundësi: qeveria e VV-së ose zgjedhjet e reja dhe për ne kjo është mirë sepse do të dalim edhe më mirë, absolutisht nuk u frikësohemi”, ka thënë Kurti në Rubikon të KTV-së. “Në zgjedhjet e ardhshme i bie që ne do të fitojmë gjysmën e Kosovës. Entuziazmi i ri dhe shpresa që ka ndodh është krejtësisht situatë e re, duhet ta kuptojnë se mjaft është bërë me qeverisjet e tyre dhe ka nevojë për frymë të re”.

“Ne e kemi menduar që do të na duhet një koalicion paszgjedhor. Do të bëjmë kompromise për të ecur përpara, jo për të bërë pazare. Pazare jo, kompromise po. Kësaj radhe kemi një vendim unanim prej këshillit të përgjithshëm të LVV-së dhe besoj se ne si subjekt si lëvizje Vetëvendosje mund të përcaktojmë se kush duhet të jetë në udhëheqje. LVV është e vendosur pas rezultatit të 11 qershorit se duhet të jetë në udhëheqje. Nëse duam ndryshime atëherë ndryshimi duhet bëhet që LVV ta ketë kryeministrin”, ka thënë ai.