Kandidati për kryeministër i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpalosur planin e kësaj partie për të qeverisur vendin në mandatin e ardhshëm.
Pas çdo paragrafi e ka përsëritur se “e vetmja shpresë është te numri 35”. Nuk e ka kontestuar fitoren në zgjedhjet e së dielës.
“Gjatë këtyre viteve e kemi ndërtuar fitoren tonë, gjatë këtyre ditëve të fushatës e kemi shpallur fitore tonë, me 11 qershor do ta mbrojmë e me 12 qershor do ta festojmë fitoren tonë, pikërisht në 12 vjetorin e themelimit të Lëvizjes sonë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se Qeveria e tij do të ketë edhe vizion afatgjatë por do të marrë edhe vendime të menjëhershme. Pensioni minimal i moshës ka thënë se do të jetë 150 euro dyfish më i madh, derisa do t’u garantohet një shujtë fëmijëve prej klasës së parë deri në të pestën, siç ka bërë në Prishtinë.
“Do të japim shtesa për familjet që kanë fëmijë nën moshën 15 vjeçe. Qytetarët nuk do të kenë nevojë të shkojnë në spitale jashtë vendit”, ka thënë Kurti.
“Duhet ta humanizojmë sistemin tonë politik ku njeriu është në qendër, e jo malli. E vetmja shpresë është numri 35”, ka thënë më tej ai.
Kurti ka thënë se Kosova ka nevojë për një brez të ri të biznesmenësh prodhues, jo aso që siç ka thënë u pasuruan në trancizion apo milionin e parë e bënë në kohë të Serbisë. Me Fondin Sovran, Bankën Zhvillimore dhe Agjencinë Zhvillimore të Kosovës ka thënë se do të garantohet kjo.
Kurti ka thënë se në të kaluarën “i kanë ndjekur hajnat me drita të gjata, që ata të shohin për të ikur. Me Lëvizjen Vetëvendosje do ta bëjmë ligjin antimafia. Prokurorët do të shtohen, do t’u shtohen truprojat e xhipat e blinduar për të luftuar krimin e korrupsionin”.
Kurti ka dhënë zotimin e betimin me mendje e me zemër për të punuar në të mirë të shtetit të Kosovës.