Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka folur për tre skenarë në rrethanat në të cilat ndodhet vendi pas zgjedhjeve të 11 qershorit.
Ajo ka thënë se skenari më i mirë, sipas saj në interes të shtetit, do të ishte që deputetët t’i bashkohen VV-së për formimin e qeverisjes së ardhshme.
Ajo në një debat në televizionin publik ka thënë se mundësia e parë pas zgjedhjeve është që LDK-ja të shkojë me PDK-në, pastaj LDK mos të shkojë me PDK dhe as me VV, opsion ky që vendin e çon në zgjedhje.
“Por ekziston edhe mundësia që deputetët t’i bashkohen VV për qeverisjen e ardhshme, gjë që do të ishte opsioni më i mirë në interes të shtetit”, ka thënë ajo.
Ajo paralajmëroi se do të fillojë bisedimet me deputet e subjekteve tjera për t’iu bashkuar VV-së, por ajo theksoi se është e qartë që VV në asnjë rrethanë nuk do të shkojë në koalicion me PDK-në.
Sipas saj, në disa zona ka pasur mospërputhje në mes vëzhguesve të tyre dhe rezultateve të KZQ-së.