Zgjedhjet lajme

Diaspora me autobusë për të votuar Vetëvendosjen. Ja pse!

Garantimi i pjesëmarrjes në zhvillim ekonomik

Diaspora vazhdon të shihet si burim i remitencave për mijëra familje që jetojnë në Kosovë. Por, përjashto këtu investimin në paluajshmëri, shumica e këtyre remitencave përfundojnë në konsum. Dhe marrë parasysh që shumica e produkteve importohen, i bie që ato para nuk qarkullojnë fare në ekonomi, por dalin nga ekonomia me po të njëjtën shpejtësi që hyjnë.

Vetëvendosje në programin e saj për zhvillimin e ekonomisë ka paraparë që të mobilizojë edhe fuqinë financiare të diasporës, por duke u siguruar që edhe ata të përfitojnë nga kthimi në investim.

Me Fondin Sovran që Vetëvendosje parasheh ta krijojë, diaspora do t’I ketë dy mundësi investimi: qoftë përmes blerjes së aksioneve në fond, përmes të cilave bëhen pjesëmarrës në fitimin vjetor që shpërndahet si dividentë, apo qoftë përmes blerjes së bonove që do të emetohen nga Fondi Sovran, të cilat do të paguajnë një kamatë të caktuar, dhe do të jenë të garantuara nga shteti.

Heqja e pagesës kufitare për sigurim

Me gjithë faktin që diaspora jonë kontribuon me rreth 700 milionë euro çdo vit në ekonominë e vendit, trajtimi ndaj tyre në pikat kufitare të vendit vazhdon të jetë pasqyra jonë më e turpshme.

Pas 20 orësh rrugë të mundimshme, ata detyrohen të ndalojnë edhe në kufirin e Kosovës dhe të paguajnë haraçin i cili u merret në emër të sigurimit për veturë. Shpesh here për këtë presin edhe me orë të tëra në kolonat e gjata që krijohen.

Ky haraç nuk ka të bëjë fare me arsyetimet e kompanive të sigurimeve dhe politikanëve që qëndrojnë prapa këtyre kompanive fantome, sepse vetëm 10% e mjeteve të grumbulluara shkojnë për pagesën e dëmeve. Fakti është se po të mos ishte kjo pagesë, një numër i këtyre kompanive do të duhej të falimentonin, sepse pagesa që marrin nga mërgimtarët është e vetmja gjë që i mban këto firma gjallë.

Dhe është më se e kuptueshme se pse kjo pagesë nuk është hequr deri tani. Kush e pret degën në të cilën qëndron?!

Lëvizja Vetëvendosje është ajo që prej fillimit ka kërkuar që kjo pagesë të hiqet, dhe ngul këmbë se kjo duhet të bëhet që në ditët e para të qeverisjes.

Ofrimi i mësuesve të gjuhës shqipe në diasporë

Në programin e saj Vetëvendosje gjithashtu ka paraparë të rikthejë ofrimin e mësuesve të gjuhës shqipe në lokacionet ku diaspora është e përqëndruar, me qëllim që gjeneratat e reja të mos e harrojnë gjuhën amtare.