Zgjedhjet lajme

Bashota bën thirrje që të votohet “koalicioni i fitores, shpresës dhe zhvillimit ekonomik”

Në kuadër të fushatës elektorale në Komunën e Klinës, para elektoratit në Ujmirë dhe Jashanicë janë prezantuar kandidatët për deputetë të kësaj komune, Ramush Agushi (PDK) dhe Ukë Berisha (PSHDK).

Ata, para anëtarëve dhe simpatizantëve në këto dy lokalitete, kanë premtuar se do të angazhohen për një shëndetësi më të mirë në Komunën e Klinës, zhvillim të bujqësisë, mbështetje të rinisë dhe investime në sport.

Kryetari i degës së PDK-së në Klinë, Sokol Bashota, bëri thirrje për të dalë masovikisht në zgjedhje më 11 qershor dhe të votohet fuqishëm koalicioni i gjerë “i fitores, shpresës dhe zhvillimit ekonomik”.

Po ashtu, Bashota kërkoi që të votohet Kadri Veseli i cili tha se për herë të parë konfirmohet si lider i fuqishëm i skenës politike kosovare dhe kandidaturat e degës së Klinës, Ramush Agushi dhe Ukë Berisha.

“Po shkojmë në këto zgjedhje të parakohshme pikërisht si rezultat i një politike e cila nuk dëshiron dhe nuk ka guxim ti qojë përpara çështjet e rëndësishme të këtij vendi. Ne duhët të distancohemi nga të gjithë ata të cilët institucionet e këtij vendi u përpoqën ti djegin, duhët të distancohemi nga ata të cilët e quajnë vetën patriot dhe nuk kanë bërë asgjë për vendin”, tha Bashota, i cili premtoi se PDK-ja me liderin e ri Kadri Veseli, të gjitha ato çështje që kanë mbetur pezull dhe në tavolinat e diplomacisë ndërkombëtare, do t’i realizojë në interes dhe shërbim të qytetarëve.