Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Fushata dhjetëditore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit ka nisur sot e do të zgjasë deri më 7 qershor në orën 7 të mëngjesit, kur do të hapen qendrat e votimit.

AAK-ja hap fushatën, kritikon qeverisjen e Kurtit

1 muaj më parë / 28 maj 2026 21:25
gjini

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës hapi fushatën zgjedhore në Gjakovë. Ish-kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar Ardian Gjinin si një nga kandidatët më të zotë për kryeministër. Sipas tij, Gjini do ta përfaqësonte denjësisht vendin.

Haradinaj tha se vendi nuk është në gjendje të mirë dhe se duhet angazhim i secilit për ta përmirësuar situatën.

“Kosova nuk është mirë, secili prej nesh duhet të bëjë më të mirën për ta nxjerrë nga kjo gjendje. Unë besoj se e kam bërë më të mirën, sepse me zemër, me bindje dhe me shpirt ia kam besuar njërit prej njerëzve më të zotë që njoh për kandidat për kryeministër, Ardian Gjinin”, u shpreh Haradinaj, raportoi KosovaPress.

Haradinaj ka kritikuar qeverisjen e deritanishme se nuk i ka rritur pagat në sektorin publik, pensionet dhe mbështetja sociale.

Kandidati i Aleancës për kryeministër, Ardian Gjini, pati kritika ndaj raportit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti me Amerikën. Ai tha se kush nuk e do Amerikën, nuk e do as Kosovën.

“Na këtu kemi njeri që thotë: po, po e dojmë Amerikën, po edhe pa ta bën. Ata që thonë se bën edhe pa Amerikën edhe pa NATO-n, nuk janë ka e duan Kosovën, nuk janë ka i dojnë shqiptarët. Janë ka dojnë me i bo me besu që disi kemi mundësi me ia kthy shpinën ndryshe, por kjo që na e themi për aleancat tona nuk është vetëm oportunizëm. Nuk është se na vetëm kemi nevojë për partnerët tanë që na quajnë partnerë edhe pse jemi të vegjël. Na jemi një popull që duhet me ditë me tregu që i çmojmë ata që na janë gjend kur kemi qenë më së vështiri”, u shpreh Gjini.

 

Hamza: Kosova në krizë, qytetarët po paguajnë më shumë për të jetuar më keq

1 muaj më parë / 28 maj 2026 21:13
Bedri Hamza

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në hapjen e fushatës elektorale të partisë, ka deklaruar se Kosova ndodhet në krizë ekonomike, sociale dhe politike, duke akuzuar qeverinë aktuale për stagnim, propagandë dhe mungesë rezultatesh gjatë gjashtë vjetëve të fundit.

Hamza nga Ferizaj ka thënë se qytetarët sot “paguajnë më shumë për të jetuar më keq”, ndërsa rritja e çmimeve, kostos së jetesës dhe mungesa e perspektivës kanë lodhur familjet, bizneset dhe të rinjtë.

“Kosova është në krizë. Krizë ekonomike. Krizë sociale. Krizë politike. Krizë shprese”, deklaroi Hamza.

Ai e fajësoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti për, siç tha, konflikte të vazhdueshme me opozitën, bizneset, mediat dhe aleatët ndërkombëtarë.

“Derisa ju luftoni me faturat, me kreditë, me çmimet, me pasigurinë për të ardhmen e fëmijëve tuaj, z. Kurti sulmon të gjithë”, u shpreh ai.

Ai premtoi heqjen e TVSH-së për produktet esenciale, rritje prej 50 për qind të pagave në sektorin publik dhe pensioneve, si dhe asnjë ndihmë sociale nën 250 euro.

“Qytetarët duhet të kenë më shumë para në xhepin e tyre – jo më shumë barrë mbi shpinë”, ka deklaruar Hamza.

Kreu i PDK-së paralajmëroi gjithashtu investime në energji, infrastrukturë dhe teknologji, reforma në shëndetësi e arsim, si dhe mbështetje për bizneset përmes uljes së tatimeve dhe granteve për investime.

“Ekonomia nuk ndërtohet me propagandë. Ekonomia ndërtohet duke krijuar vende pune”, është shprehur ai.

Hamza gjatë fjalimit përmendi edhe ish-krerët e UÇK-së dhe PDK-së që po gjykohen në Hagë, për të cilët tha se janë pjesë e historisë së Kosovës dhe se do të kthehen “faqebardhë”.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 7 qershorit të votojnë për ndryshim, duke e mbyllur fjalimin me sloganin “STOP krizës. Ndrysho Kosovën”.

LVV-ja nis fushatën, Kurti premton investime e blerje armatimi dhe pajisje ushtarake

1 muaj më parë / 28 maj 2026 21:08
kurti

Lëvizja Vetëvendosje e ka hapur fushatën në Ferizaj për zgjedhjet e 7 qershorit. 

Kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti, ka premtuar investime miliardëshe në Brezovicë dhe Bjeshkët e Nemuna, ndërkohë që premtoi se në katër vitet e ardhshme do të ketë nga 1 miliard euro shpenzime kapitale, ku përmendi prodhimtarinë dhe ushtrinë.

“Me këtë 1 miliard euro, blerje të armatimit dhe pajisjeve ushtarake do t’ia bashkëngjesim fabrikën e dronëve dhe armëve. Rritjen ekonomike e kemi 4%, pra kemi mundësi të shpërndajmë mjete. Rritje ekonomike ka më së shumti në sektorin privat, që është bartësi kryesor i punësimit për çka i falënderojmë bizneset e ndershme. Ata që kanë zhvatur në të kaluarën, qofshin pasuri natyrore apo buxhet shtetëror, duhet ta kthejnë cent më cent, sepse do të themelohet Byroja për Konfiskimin e Pasurisë”, tha Kurti, raporton KosovaPress.

Ai më tej premtoi se pagesa e TVSh-së për mallra që do të hyjnë në Kosovë do të zhvendoset brenda shtetit, nga kufiri që është aktualisht, e po ashtu edhe për veturat e importuara nga BE-ja, Kurti tha se do të hiqet taksa doganore prej 10% duke ulur taksën e blerjes.

Kurti u shpreh i bindur për fitore duke thënë se synon 60 përqindëshin nga 7 qershori. 

“Më 7 qershor bëhen 116 ditë të kësaj qeverie. Më 7 qershor krejt që kanë drejtë vote, e ata që i bëjnë 18 vjet atë ditë, e ata 88 98 a 116 sa i keni më të moçmin në Ferizaj. Dilni votoni i madh i vogël gra e burra pleq e të rinj, me kushëri të afërt largët, daja teze e halla, axhallar. Sepse nëse 51.1 për qind me 28 dhjetor kur erdh viti i ri tri ditë para kohe nuk ju doli boll. Atëherë mbi 60 për qind me 7 qershor, që dy javë kalendarike para se me ardh vera, jam i bindur se do t’ju dalë boll”.

 

LDK hap fushatën me thirrje për bashkim, Osmani: Ju vendosni nëse Kosova do të jetë e qytetarëve, apo e një njeriu

1 muaj më parë / 28 maj 2026 19:08
ldk

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka hapur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 7 qershorit. Në tubimin në Prishtinë, Vjosa Osmani si bartëse e listës së LDK-së ka bërë thirrje për bashkim, zhvillim dhe forcim të shtetit të Kosovës.

Osmani deklaroi se Kosova nuk do të lejohet të dëmtohet nga përçarjet politike, por do të vazhdojë rrugën e ndërtimit dhe integrimit.

“Kur ata zgjedhin përçarjen, ne gjithmonë zgjedhim bashkimin. Kur ata zgjedhin zhurmën, ne zgjedhim punën. Kur ata zgjedhin të kaluarën, ne të ardhmen. Ata mund të flasin për kundërshtar, ne do të flasim për qytetar. Ata do të kërkojnë armiq, e ne do të japim zgjidhje. Politika që ndan njerëzit mund të fitojë një ditë, por vetëm politika që bashkon njerëzit mund të ndërtojë një vend. Prandaj bashkimi është përgjigja jonë ndaj ndarjes, ndaj politikës që na ka mbajtur shumë gjatë në vendnumërim”, ka thënë ajo. 

Osmani theksoi se rikthimi te vizioni politik i ish-presidentit Ibrahim Rugova është domosdoshmëri politike dhe morale, duke theksuar se Kosova nuk mund të jetë “instrument i kalkulimeve të ngushta politike”, por projekt i sakrificës dhe besimit qytetar.

“Bashkohuni sepse bashkimi është zëri i atyre që nuk pranojnë ta shohin Kosovën të molisur nga përçarjet, nga frika dhe urrejtjet . Është thirrje për njerëzit që ende besojnë se ky vend mund të udhëhiqet me ndershmëri, dije e guxim qytetarë. Me 7 qershor s’po ju ftojmë të votoni thjeshtë për një Kuvend, por drejtimin e Republikës sonë. Ju po votoni të vendosni nëse Kosova do të jetë shtet i qytetarëve të saj, apo shtet i vetëm një njeriu. Nëse do të jetë aleat besnik i perëndimit, apo eksperiment i izolimit. Nëse do të ecë me dinjitet drejtësi shpresë apo do të mbetet peng i frikës”, theksoi Osmani. 

Premtimet e Abdixhikut: Asnjë pension më pak se 300 euro e nga 200 euro për të porsalindurit  

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka thënë se nga sot fillon një kapitull i ri për Kosovën, teksa ka renditur premtimet. 

“Dhe sonte, mu sonte, e shënojmë fillimin e një kapitulli të ri për Republikën tonë. Sonte, mu sonte, shënojmë një moment definues të historisë së popullit tonë. Sonte, mu sonte, shënojmë kryengritjen e djathtë kombëtare si thirrje monumentale të popullit të Kosovës. Dhe në këtë kryengritje të djathtë, le t’i kujtojmë, le t’i kujtojmë vetes se kush jemi ne. Jemi pasardhësit e qëndresës, jemi pasardhësit e rezistencës, jemi pasardhësit politikë të shtetarit më të madh të kohërave, jemi pasardhësit politikë të Dr. Ibrahim Rugovës”, tha Abdixhiku

Abdixhiku ka thënë se shtesat, përfitimet, beneficionet nuk do të jenë “lëmoshë elektorale” dhe se LDK nuk do t’i ndalë ato, por do t’i rrisë, duke garantuar rregullimin e kësaj çështjeje me anë të ligjit.

“Shtesat, përfitimet, beneficionet, nuk do të jenë lëmoshë elektorale. Jo, ato nuk do të ndalen. Do të jepen, do të rriten. Dhe do të garantohen me ligj. Si siguri e përhershme jo si blerje elektorale”, theksoi Abdixhiku. 

Abdixhiku ka folur për përkrahjen që do t’ia bëjnë nënave dhe fëmijëve. Premtoi po ashtu dyfishim të pensioneve dhe asnjë pension nën 300 euro.

“Me 200 euro në muaj për secilin të porsalindur, për plot një vit. Me shtesa mujore për secilin fëmijë deri në moshën 16 vjeçare. Me mbështetje të drejtpërdrejtë për gratë kujdestare”, tha Abdixhiku.

Më tej, kreu i kësaj partie premtoi sjelljen e investitorëve për krijimin e më shumë vendeve të punës e paga më të larta. 

“Mësuesi i Kosovës do të ketë pagën 1000 euro në qeverisjen tonë, polici, ushtari, infermieri, zjarrfikësi do të kenë 900 euro në muaj, koeficienti 150 për mbi 80 mijë punëtorë publik mbetet punëtori ynë”, tha ai.

Hamza: PDK-ja garon me program konkret për t’i thënë stop krizës

1 muaj më parë / 28 maj 2026 14:27
Bedri Hamza

Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, u ka bërë thirrje qytetarëve që më 7 qershor ta votojnë numrin 125 për t’i thënë stop krizës dhe për ta ndryshuar Kosovën.

Hamza në një konferencë për media të enjten prezantoi pesë zotimet kryesore të programit të PDK-së: çmime e tatime më të ulëta, paga e pensione më të larta dhe mbështetje për bizneset; investime në energji, infrastrukturë dhe teknologji të reja; shëndetësi cilësore, me shërbime më të shpejta dhe të qasshme për çdo qytetar; arsim konkurrues, aftësi për të ardhmen dhe mundësi për të rinjtë; si dhe drejtësi e pavarur, e paanshme dhe efikase.

“Programi i Partisë Demokratike të Kosovës është një program konkret, i matshëm dhe i realizueshëm, i hartuar nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. Ai trajton me seriozitet të gjitha çështjet me rëndësi jetike për shtetin dhe qytetarët, me një qëllim të vetëm: një jetë më të mirë për secilin”, theksoi Hamza.

Duke u zotuar për rritje pagash për 50 për qind, Hamza i kërkoi Qeverisë në detyrë që të mos i shpërdorojë resurset shtetërore me qëllim të krijimit të pabarazisë në garë, në mes subjekteve politike, sepse qytetarëve u duhet mbështetje e përhershme financiare më shumë se sa shtesa të njëhershme.

“Do të ketë rritje pagash për 50 për qind dhe kjo do të jetë e përhershme, jo veç ndihmë në kohë të fushatave zgjedhore, që qytetarët e Kosovës të kenë ndihmë dhe të kenë parashikueshmëri. Kjo nuk i bie që punëtorët e sektorit publik ta marrin një pagë më shumë në vit. Kjo i bie që t’i marrin gjashtë paga më shumë. Dikush që sot e ka pagën 900 euro, i bie që t’i marrë 1350 euro me rritjen e pagës. Ai që e ka 800 i bie me i marrë 1200. Do të ketë rritje të pensioneve për të gjitha kategoritë”, u zotua ai.

Lideri i PDK-së u bëri thirrje të gjitha partive politike për një gjuhë të përmbajtur në shërbim të një fushate të qetë, demokratike, korrekte dhe me respekt për standardet e zgjedhjeve të lira.

“Mbi të gjitha, Kosova ka nevojë për garë idesh, jo për gjuhë të urrejtjes. Për program dhe përgjegjësi dhe assesi me përçarje dhe përplasje”, shtoi Hamza.

Ai ftoi qytetarët që sot t’i bashkohen tubimit hapës të fushatës së PDK-së në Ferizaj.

“Sot, më 28 maj, nga Ferizaj, do ta hapim zyrtarisht fushatën tonë zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit. Në ora 20:00, në sheshin para Komunës së Ferizajt, ftoj qytetarët nga Ferizaj dhe gjithë Kosova të bashkohen me ne në hapjen e këtij rrugëtimi të ri për Kosovën. Po hyjmë në këtë fushatë me respekt për qytetarët, me besim tek demokracia dhe me vizion të qartë për ta nxjerrë Kosovën nga kriza”, tha ai.