Lidhja Demokratike e Kosovës e ka hapur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 7 qershorit. Në tubimin në Prishtinë, Vjosa Osmani si bartëse e listës së LDK-së ka bërë thirrje për bashkim, zhvillim dhe forcim të shtetit të Kosovës.
Osmani deklaroi se Kosova nuk do të lejohet të dëmtohet nga përçarjet politike, por do të vazhdojë rrugën e ndërtimit dhe integrimit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kur ata zgjedhin përçarjen, ne gjithmonë zgjedhim bashkimin. Kur ata zgjedhin zhurmën, ne zgjedhim punën. Kur ata zgjedhin të kaluarën, ne të ardhmen. Ata mund të flasin për kundërshtar, ne do të flasim për qytetar. Ata do të kërkojnë armiq, e ne do të japim zgjidhje. Politika që ndan njerëzit mund të fitojë një ditë, por vetëm politika që bashkon njerëzit mund të ndërtojë një vend. Prandaj bashkimi është përgjigja jonë ndaj ndarjes, ndaj politikës që na ka mbajtur shumë gjatë në vendnumërim”, ka thënë ajo.
Osmani theksoi se rikthimi te vizioni politik i ish-presidentit Ibrahim Rugova është domosdoshmëri politike dhe morale, duke theksuar se Kosova nuk mund të jetë “instrument i kalkulimeve të ngushta politike”, por projekt i sakrificës dhe besimit qytetar.
“Bashkohuni sepse bashkimi është zëri i atyre që nuk pranojnë ta shohin Kosovën të molisur nga përçarjet, nga frika dhe urrejtjet . Është thirrje për njerëzit që ende besojnë se ky vend mund të udhëhiqet me ndershmëri, dije e guxim qytetarë. Me 7 qershor s’po ju ftojmë të votoni thjeshtë për një Kuvend, por drejtimin e Republikës sonë. Ju po votoni të vendosni nëse Kosova do të jetë shtet i qytetarëve të saj, apo shtet i vetëm një njeriu. Nëse do të jetë aleat besnik i perëndimit, apo eksperiment i izolimit. Nëse do të ecë me dinjitet drejtësi shpresë apo do të mbetet peng i frikës”, theksoi Osmani.
Premtimet e Abdixhikut: Asnjë pension më pak se 300 euro e nga 200 euro për të porsalindurit
Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka thënë se nga sot fillon një kapitull i ri për Kosovën, teksa ka renditur premtimet.
“Dhe sonte, mu sonte, e shënojmë fillimin e një kapitulli të ri për Republikën tonë. Sonte, mu sonte, shënojmë një moment definues të historisë së popullit tonë. Sonte, mu sonte, shënojmë kryengritjen e djathtë kombëtare si thirrje monumentale të popullit të Kosovës. Dhe në këtë kryengritje të djathtë, le t’i kujtojmë, le t’i kujtojmë vetes se kush jemi ne. Jemi pasardhësit e qëndresës, jemi pasardhësit e rezistencës, jemi pasardhësit politikë të shtetarit më të madh të kohërave, jemi pasardhësit politikë të Dr. Ibrahim Rugovës”, tha Abdixhiku
Abdixhiku ka thënë se shtesat, përfitimet, beneficionet nuk do të jenë “lëmoshë elektorale” dhe se LDK nuk do t’i ndalë ato, por do t’i rrisë, duke garantuar rregullimin e kësaj çështjeje me anë të ligjit.
“Shtesat, përfitimet, beneficionet, nuk do të jenë lëmoshë elektorale. Jo, ato nuk do të ndalen. Do të jepen, do të rriten. Dhe do të garantohen me ligj. Si siguri e përhershme jo si blerje elektorale”, theksoi Abdixhiku.
Abdixhiku ka folur për përkrahjen që do t’ia bëjnë nënave dhe fëmijëve. Premtoi po ashtu dyfishim të pensioneve dhe asnjë pension nën 300 euro.
“Me 200 euro në muaj për secilin të porsalindur, për plot një vit. Me shtesa mujore për secilin fëmijë deri në moshën 16 vjeçare. Me mbështetje të drejtpërdrejtë për gratë kujdestare”, tha Abdixhiku.
Më tej, kreu i kësaj partie premtoi sjelljen e investitorëve për krijimin e më shumë vendeve të punës e paga më të larta.
“Mësuesi i Kosovës do të ketë pagën 1000 euro në qeverisjen tonë, polici, ushtari, infermieri, zjarrfikësi do të kenë 900 euro në muaj, koeficienti 150 për mbi 80 mijë punëtorë publik mbetet punëtori ynë”, tha ai.